E Enjte, 5 Nëntor 2026

Trafik i emigrantëve të paligjshëm nga Lindja e Mesme, 20 të arrestuar, 4 në kërkim

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Në kuadër të operacionit të koduar “DAMASK”, për goditjen e trafikut të paligjshëm të emigrantëve kryesisht nga Lindja e Mesme, Policia e Shtetit ka arrestuar 20 persona, ndërsa 4 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Goditja e grupit të strukturuar kriminal të trafikut të paligjshëm të emigrantëve u zhvillua pas një hetimi 12-mujor. Konkretisht, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë, për 19 shtetas.

Siç njoftoi drejtori i Policisë së Tiranës Tonin Vocaj në një konferencë për shtyp, gjatë fazës finale të operacionit janë arrestuar 15 shtetas, nga të cilët 3 të huaj, me kombësi egjiptiane dhe siriane.

Vocaj bëri me dije se gjatë fazave të mëparshme të hetimit janë arrestuar në flagrancë 5 shtetas të tjerë, nga të cilët 3 hetohen me masën e sigurisë “Arrest në burg”, pa afat, ndërsa 2 me masën e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.

Vocaj tha se janë shpallur në kërkim 4 shtetas, e sipas informacioneve, 3 prej tyre janë jashtë vendit dhe po ndiqen procedurat urgjente për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të tyre.

Në kuadër të këtij operacioni, sipas Policisë, janë sekuestruar 10 automjete, rreth 20 mijë euro dhe 500 000 lekë, 24 celularë, 10 pasaporta dhe fotokopje pasaportash të shtetasve egjiptianë dhe sirianë.

“Shtetasit e implikuar në këtë veprimtari kriminale iu kanë dhënë ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, shumë shtetasve, kryesisht nga Lindja e Mesme, të cilët hynin në RSH nga Greqia dhe tranzitoheshin në drejtim të kufijve veriorë të Shqipërisë, në Malin e Zi dhe në Kosovë.

Gjatë hetimit është dokumentuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm së shtetasit e huaj janë organizatorë dhe financues të kësaj veprimtarie kriminale. Gjatë zhvillimit të hetimeve janë përdorur veprime stimuluese si dhe teknika të posaçme hetimore me mbështetjen e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, bëri me dije drejtori i Policisë së Tiranës.

Policia në fazën finale të operacionit ka bashkëpunuar me Drejtoritë Vendore të Policisë Kukës, Durrës, Shkodër dhe me Komisariatin e Policisë Sarandë, në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›