E Enjte, 5 Nëntor 2026

Kërkoi pezullimin e dënimit me burg, Gjykata e Lartë rrëzon Salianjin

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e ish-deputetit të Partisë Demokratike Ervin Salianji, i cili kërkoi pezullimin e ekzekutimit të vendimit penal të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit, për dënimin me një vit burg të ish-deputetit demokrat, për kallëzim të rremë, në lidhje me dosjen “Babalja”.

Gjykata e Tiranës në dhjetor të vitit 2019, shpalli fajtor për akuzën e “kallëzimit të rremë” ish-deputetin e PD-së, vendim i cili u la në fuqi nga Gjykata e Apelit më 26 shtator 2024.

Sipas Gjykatës së Tiranës, ish-deputeti Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi, i dënuar me 100 orë punë në komunitet, kanë inskenuar një audiopërgjim dhe akuza të rreme penale ndaj vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa. Prej 27 shtatorit, Ervin Salianji po vuan dënimin në burgun e Fierit.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›