Trafik ndërkombëtar droge, GJKKO dënon me 14 vite burg kolumbianin Samir Rosales Rodriguez

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar me 14 vite burg shtetasin kolumbian Samir Rosales Rodriguez, i akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Gjykimi u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Flojera Davidhi, Etleva Deda dhe Bib Ndreca.
Sipas vendimit, dënimi do të fillojë të vuhet nga dita e ekzekutimit të vendimit gjyqësor dhe do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
Samir Rosales Rodriguez u akuzua nga SPAK se kishte rolin e kimistit, që bënte ekstraktimin e lëndës narkotike nga plehu kimik në laboratorin e ngritur në Frakull të Fierit.
Rodriguez akuzohet për veprat penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”.
/rtsh.al/