Shqipëria dhe Letonia, marrëveshje bashkëpunimi në luftën ndaj krimit të organizuar
Shqipëria do të bashkëpunojë me Letoninë në luftën ndaj krimit të organizuar, terrorizmit e trafiqeve të paligjshme. Zëvendësministri i Brendshëm, Avenir Peka dhe ambasadorja e Letonisë për Shqipërinë me seli në Romë, Astra Kurme, nënshkruan ditën e djeshme një marrëveshje
midis dy shteteve. Ambasadorja e Letonisë nënshkroi edhe një marrëveshje mes dy vendeve për mbrojtjen reciproke të informacionit të klasifikuar, marrëveshje që nga pala shqiptare u nënshkrua nga drejtori i Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Shyqyri Dekavelli. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje bën të mundur mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, që do të shkëmbehet midis institucioneve shtetërore të vendit tonë me institucionet homologe të Letonisë. Vendi ynë ka nënshkruar marrëveshje bilaterale si me vendet e rajonit, ashtu edhe me pjesën më të madhe të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Marrëveshja e nënshkruar ka për synim rritjen e përpjekjeve të përbashkëta dhe në mënyrë të veçantë, intensifikimin e shkëmbimit të informacionit të nevojshëm për të luftuar terrorizmin, krimin e organizuar, trafiqet e paligjshme dhe krime të tjera që kërcënojnë seriozisht sigurinë publike. Gjatë takimit të zhvilluar mes tyre, zv.ministri i Brendshëm dhe ambasadorja e Letonisë, Kurme, nënvizuan pikërisht nevojën e thellimit të bashkëpunimit bilateral dhe multilateral në funksion të forcimit të klimës së sigurisë në rajonet përkatëse dhe në një kuadër më të gjerë në gjithë hapësirën evropiane. Z. Peka informoi ambasadoren Kurme mbi rezultatet e arritura në luftën kundër krimit të organizuar, nismat e ndërmarra nga qeveria për të luftuar të gjitha fenomenet kriminale, e po kështu për reformat e vazhdueshme në kuadër të proceseve integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ndërsa ambasadorja e Letonisë vlerësoi arritjet për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe pranimin e kërkesës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kurme garantoi për mbështetjen e plotë të Letonisë për integrimin e Shqipërisë në BE, si dhe në mënyrë të veçantë për procesin e liberalizimit të vizave.