E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë ; Dy në pranga për favorizim klandestinësh

Dy shtetas, një nga qyteti i Korçës dhe tjetri nga Lezha, u ndaluan dje nga policia për “favorizim të trafikut të qenieve njerëzore” në kufi me Greqinë. Sipas të dhënave të policisë së Korçës, mësohet se Ndue Uka, 57 vjeç, me banim në fshatin Shën Koll të Lezhës, si dhe 24-vjeçari Edison Laloti, nga qyteti i Korçës, u ndaluan nga Seksioni i Luftës Kundër Trafikut të Qenieve Njerëzore, për favorizim të trafikut në kufi me Greqinë. Sipas policisë, për 57 vjeçarin Ndue Uka është ekzekutuar një urdhër i Prokurorisë që e ka shpallur në kërkim për veprën penale të “dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit”. Ndërkohë, policia tha se Edison Laloti është ndaluar, pasi pak ditë më parë ka ndihmuar për të kaluar kufirin me Greqinë dy persona, të cilët janë ndaluar nga pala greke dhe janë riatdhesuar. Policia e Korçës bëri të ditur se gjatë një jave janë ndaluar 4 persona për favorizim të trafikut klandestin, në kuadrin e masave të forta për të parandaluar trafikun e qenieve njerëzore në drejtim të Greqisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›