Mirditë, mister vrasja e bariut 18- vjeçar
MIRDITË- Vazhdon të mbetet mister vrasja e bariut 18- vjeçar Fatmir Pjetri nga fshati Kodër Spac i komunës së Oroshit në Mirditë. Ngjarja ndodhi natën e mbrëmshme kur 19- vjeçari u qëllua me një plumb automatiku pas qafës duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Fatmir Pjetri ndodhej së bashku me një bashkëmoshatar të tij, Zef Prenga, në vendin e quajtur Qershizë të këtij fshati duke kullotur tufën e bagëtive, kur dhe është qëlluar. Ka qenë ky i fundit që ka lajmëruar në fshat për vrasjen e Fatmirit. Policia e ka shoqëruar Zef Prengën së bashku me gjyshin e tij Mark Z. Marku, të cilët janë marrë në pyetje për vrasjen e Fatmir Pjetrit, ndërsa ata kanë shpjeguar gjithçka ka ndodhur atje. Sipas dëshmisë së tyre, është dëgjuar një e lehur qeni dhe Fatmiri ka shkuar në atë drejtim, por pikërisht në ato momente është dëgjuar një e shtënë arme që ka qëlluar mbi Fatmirin nga pas shpine. Policia ka gjetur në vendngjarje një gëzhojë, ndërsa dje në orët e mesit të ditës në një shtëpi të braktisur disa qindra metra poshtë vendit të vrasjes ka gjetur dhe një automatik, i cili është dërguar për ekspertizë balistike në laboratorin kriminalistik në Tiranë. Ndërkohë që gjenden të shoqëruar në polici 18- vjeçari Zef Prenga dhe gjyshi i tij Mark Z.Marku, të cilët janë pyetur intensivisht. Policia po punon në disa pista për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, por deri më tash ende pa saktësuar ndonjë prej tyre. Një nga pistat është ajo e vrasjes për gjakmarrje pasi familja ka qenë në gjak me një familje tjetër, si dhe pista e ndonjë vrasjeje të pakujdesshme në mes të të rinjve, ose e një vrasjeje të ardhur nga jashtë nga ndonjë person i paidentifikuar pa ditur qëllimin e kësaj vrasjeje, ose si një vrasje e paguar.Ndërkohë, dhe vetë familjarët janë në pritje të përgjigjes së ekspertizës së policisë dhe sipas tyre, deri sa të zbardhet e vërteta, ata nuk fajësojnë askënd, pavarësisht problemit të mëparshëm që lidhet me hasmërinë.