Biseda e mbrame me tim atë, Kiçon: Enver Hoxha është çmendur
UET Press sjell historinë-autobiografi me 4 vëllime të Avokatit: Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare 1957-2010-Refleksione për një kohë. Spartak Ngjela sic e keni dhe nuk e keni njohur në stendat e librit në tetor.
Rrëshqitja e tokës për ministrin Kiço Ngjela dhe preludi i burgosjes së tij.
I-Pranvera e vitit 1975
Ishte marsi i vitit 1975. Tirana qe futur ndërkaq në një qerthull marramendës frike sepse regjimi kishte ngritur befas furtunën e një terrori të ri. Në të vërtetë, kjo, si gjithmonë, ishte një nga veprat e përsëritura të Enver Hoxhës, i cili ngaherë kishte pasur po të njëjtën metodë, atë të dhunës dhe të ndërkalljes së frikës në të gjithë rrafshin shoqëror. Kjo ndodhte gjithmonë, kur ai vetë e kishte vendosur që më parë eliminimin e bashkëpunëtorëve të tij të afërt, të cilët kurrë nuk e kuptuan dot qartë përse do të duhej të skartoheshin në mënyrë aq makabre nga udhëheqja. Në të vërtetë, metoda e të gjithë lindjes komuniste kishte qenë e tillë për shumë kohë, si rrugë që ishte hapur së pari nga Stalini, por në Shqipëri, kjo lloj metode zbatohej në mënyrë disi më të veçantë. Realisht, kjo ka qenë gjatë historisë rruga e disiplinave fetare, e klerikalizmit dhe e shteteve fetare, por dihet tashmë se në këtë rrugë kaloi edhe komunizmi, përderisa ndërtoi një shtet ideologjik e me karakter të pastër religjionar.
Skartimi i bashkëpunëtorëve të Enver Hoxhës kishte kohë që tek shqiptarët ishte kthyer në ritual, në një lloj teatri makabër, i cili niste me fjalimet e Hoxhës, ku i godituri akuzohej si deviator i vijës marksiste-leniniste dhe si armik i Partisë, dhe përfundonte me arrestimin e “deviatorit”, ose armikut të popullit e të Partisë. Por gjatë gjithë kohës së zhvillimit të këtij procesi që zgjaste disa muaj, të gjithë, çdo njeri në moshë madhore që ishte në marrëdhënie punë, duhej të pranonte dhe të përsëriste të njëjtat fjalë që kishte thënë Hoxha, e po kështu duhej të bënin të gjitha gazetat, edhe radioja, edhe televizioni. Kudo duhej të flitej për armikun ose për e ri armiqësor që kishte zbuluar Partia, kurse e gjithë Partia, gjatë gjithë kësaj kohe, duhej të ishte në tension. Asnjë njeri nuk mund ta kuptonte nëse njerëzit ishin vërtet të bindur për ato që u thoshin apo e kishin krijuar atë si zakon për të qetësuar veten nga mundësia e ndonjë goditjeje. Në fakt, frika, kishte kohë që e kishte krijuar në Shqipëri zakonin sipas të cilit askush nuk duhej të mendonte me dyshim për vërtetësinë e asaj që thoshte Partia. Partia ishte kthyer në një Zot real, në diçka abstrakte që nuk dukej si profil, por që ishte e kudondodhur me anë të njerëzve që e drejtonin; tamam si priftërinjtë e mesjetës që flisnin në emër te Zotit, por gjithmonë nëpërmjet fjalëve të patriarkut, i cili thoshte vetëm të vërtetën, prandaj, çdo mendim që nuk ishte i njëjtë me mendimin e tij ishte pa dyshim një mendim armiqësor dhe shkak real për të ndëshkuar mbartësin e këtij mendimi, si armik apo kundështar i patriarkut.
Në të njëjtën kohë, as që mund të flitet se vërtet kishte pasur një Parti atëherë në Shqipëri, sikundër trumpetohej më së shumti nga vetë Enver Hoxha. Asnjëherë nuk ka patur një Parti, por vetëm një bandë që ishte e ndërtuar sipas modelit terrorist të Hoxhës. Gjithçka ishte e ndërtuar sipas këtij modeli; të gjitha institucionet e shtetit, që të gjitha të frikshme, ishin në funksion të figurës së Enver Hoxhës, patriarkut absolut te Shqipërisë. Ato i shërbenin atij dhe asnjëherë paqësisht, por vetëm më një frymë të ligë, të egër dhe të frikshme kundrejt popullatës. Nuk mund të kishte ligj dhe as drejtësi sepse gjithçka ndërtohej e funksiononte në frymën e interesit të pushtetit të Enver Hoxhës, i cili i zgjidhte vetë bashkëpunëtorët dhe vetë i ndëshkonte sipas qejfit, domethënë sipas situatës që krijohej.
Ky ishte në thelb terrori që regjimi i Tiranë ushtronte prej dekadash në Shqipëri, por ai që po shihnim përgjatë vitit 1975 sikur ishte edhe me agresiv, edhe më i zhurmshëm. Dhe sigurisht që ishte i tillë, pasi këtë herë kishte shkaqe më specifike. Enver Hoxha po mendonte për pasardhësin e tij duke qenë se sapo kishte kaluar një infarkt të rëndë miokardi, ishte 67 vjeç dhe me një shëndet të rrënuar që i kujtonte për çdo ditë vdekjen. Ai ishte futur befas në qerthullin e një monarku absolut që nuk ka dinasti. Dhe kjo e torturonte sepse sistemi që predikonte nuk e pranonte hapur dinastinë, por edhe nëse e pranonte në një rrugë ideologjike, Enver Hoxha u gjet përballë faktit që i duhej një pasardhës që t’i garantonte atij pikërisht dinastinë ideologjike. Ja, kjo ishte dilema e tij, por dilema e një njeriu të sëmurë mendërisht, dilema e një paranojaku që gjithçka e kishte ndërtuar shtrembër sepse e kishte ndërtuar në shërbim të vetes. Tani atij do t’i duhej të zhbënte ngrehinën e tij politike që ta kthente atë në një instrument që do t’i duhej ta përdorte pasardhësi i tij e jo ai vetë, në mënyrë që, ky pasardhës i sigurt, të garantonte familjen e tij dhe vetë figurën e Hoxhës. Në fakt, kjo lloj dinastie qerthullohej dhe vërtitej vijimisht vetëm në një qëndër: kush do ta shpëtonte historikisht Enver Hoxhën nga krimet që kishte kryer? Sepse ai e dinte se kishte vrarë gjerësisht edhe kundërshtarë nga fronti i kundërt, por edhe kundërshtarë nga brenda regjimit apo lëvizjes së tij, madje, edhe njerëz krejt të pafajshëm; kishte krijuar një terror permanent e të egër, dhe kjo e mundonte tek shihte fundin.
Të gjithë ata që dinin të mendonin atëherë në Shqipëri e kishin kuptuar pa mëdyshje se, gjithçka që lidhej me gjendjen e terrorit të krijuar rishtas e kishte origjinën tek një frikë e re që kishte pushtuar Enver Hoxhën. Natyrisht, kjo assesi nuk mund të ishte një frikë e shkëputur apo një episod fragmentar i gjendjes së tij sepse tashmë, frika ishte natyrë e ngulitur thellë tek diktatori. Frika në të vërtetë kishte qenë shoqëruesja e përherëshme e pushtetit të tij qysh në hapat e para, por tani, kjo frikë e vjetër kishte marrë një tjetër formë në vetëdijën e Enver Hoxhës sepse ajo nuk lidhej më vetëm me pushtetin e tij imediat, por edhe me kalimin e këtij pushtetit nga ai tek familja e vet. Vështirësia këtu ishte pikërisht tek fakti që këtë kapërcim dinastik, Hoxha e kishte të pamundur që ta kryente drejtpërsëdrejti; duhej bërë me anë të një tjetri. Ky fakt ishte një detyrim për të, prandaj ai kishte plot dy vjet në atë kohë që ndiehej i pushtuar tërësisht nga një frikë disi e ngatërruar, e cila ishte e tillë sepse, duke qenë se lidhej më tepër me të ardhmen sesa me momentin, e bënte Hoxhën të padurimtë e me tension. Cili do të ishte instrumenti i ri? Kush do të ishte njeriu i përshtatshëm që të ishte një lloj regjenti, derisa pushtetin t’ia linte gruas ose djemve të tij? Si do të ecte ky pushtet i ri dhe cilat do të ishin aleancat e tij? Të gjitha këto enigma tregojnë se frika e tij, këtë radhë nuk kishte të bënte më shumë me kundërshtarët që ai i gjente kudo, ndonëse nuk ekzistonin realisht, por krejt e krejt me mendimin se vdekja po i dukej e afërt, kurse pushtetin e tij po e gjente krejt të pasigurt kur ishte fjala për ruajtjen e pacënuar të figurës e tij dhe për garantimin e të ardhmes së pushtetshme të familjes Hoxha. Ai kurrë nuk e ka parë të sigurt veten pas vdekjes së tij, por tani kjo gjë ishte bërë konkrete dhe atij i duhej ta zgjidhte.
II - Biseda e mbrame me babanë
Kështu po e përjetoja gjendjen në ato çaste, kur më në fund vendosa t’i drejtohem babait tim Kiço Ngjelës, në atë kohë ministër qysh nga viti 1948. Ai kishte qenë gjithmonë i matur dhe tepër i heshtur. Kurrë nuk kishte pranuar të fliste me mua me rezerva kundrejt regjimit politik që përfaqësonte dhe asnjëherë nuk kishte dashur të pranonte se sistemi komunist nuk mund t’i përshtatej zhvillimit shqiptar, ndonëse, së brendshmi, gjithmonë e kuptoja se kishte dyshime. Ai kishte një mospranim sidomos dhe pikërisht për atë që ndodhte në Shqipëri. Prej vitesh e kisha kundërshtuar dhe ai heshtte; nuk mund ta dija se çfarë mendonte së brendshmi. Por tani, koha befas kishte marrë një tjetër sens lëvizjeje dhe ndërkohë ai kishte filluar të ndihej i rrezikuar nga purgoja e re e Enver Hoxhës. Duke e parë në këtë situatë, disi të trubullt dhe me mendimin se në Shqipëri kishte filluar një shkatërrim i brendshëm, si fenomen e jo si rast, e gjeta mundësinë gjatë atyre diteve për t’i folur drejtpërsëdrejti:
-Çfarë po ndodh kështu? - i thashë, ndërsa po dilnim të dy nga shtëpia, dhe ende ndodheshim në oborrin e saj. Ishte data 25 mars e vitit 1975. Ai më pa në sy jo me shumë habi, ktheu kokën nga rruga dhe mua m’u duk se nuk donte të fliste, por dallohej që ishte shumë i tronditur. Kishte kohë që ishim në konflikt me njëri-tjetrin, por ndërkaq diçka kishte ndryshuar. Me tej, sikur e pa të udhës që të fliste:
-“Asgjë e veçantë.”- tha pa më parë në sy. Ndenji për një çast me mëdyshjen e largimit ose të përgjigjes, por, mandej, sikur ndërroi mendje tek vazhdoi. – “Ai është çmendur. Enveri tani është një i marrë dhe si çdo i marrë që pasi ka hedhur në dell një pushkë, ka dalë nëpër qytetin e çarmatosur e vret sa majtas djathtas, pa kriter, nëpër rrugët e qytetit. Nuk dihet se kujt do t’i takojë të vritet…por gjithsesi ky do të jetë fundi për të gjithë ne.”
-“Atëherë fshihu”- i thashë, jo pa njëfarë ironie, por ai nuk e vazhdoi bisedën. Siç duket u kujtua në çast që nuk duhej të hapej më tej me mua. Nxitoi hapin dhe, me vrik, u fut në makinën që e priste aty, nja gjashtë metra më tutje. Kurse unë, ndonëse relativisht ende i ri atëherë, tek shihja makinën që largohej në rrugën “Brigada e Tetë”, mendoja për atë “pushkën në dell” që kishte përmendur im atë sepse ai ashtu i thoshte shpatullës gjithmonë, “dell”, një fjalë e tipike e të folmes labe kjo. “Pse nuk e hedhin edhe këta pushkën në dell e t’i dalin përpara të keqes, por presin që t’u vijë radha?- po thosha me vete - E pra, pikërisht, pse presin, pse rrinë kështu pasivë?” – vijoja të thosha disa herë me vete atë ditë, pa e shkëputur dot mendjen nga ai pasivitet i gjatë i këtyre njerëzve që prisnin qetësisht shkatërrimin e tyre. Dhe prisnin e prisnin me njëfarë shprese të kotë, në një kohë që e njihnin mirë xhelatin e tyre. E njohin xhelatin, e kanë eksperiencën mbi fundin e të tjerëve, e megjithatë, nuk veprojnë, por janë si të ngrirë e të kapur edhe nga frika, por edhe nga një shpresë e kotë se e keqja është larg tyre. As nuk e pranojnë Enver Hoxhën, por as nuk veprojnë kundër tij. Dhe im atë më kishte thënë para ca çastesh: “Ky do të jetë fundi për të gjithë ne”.
Nuk e kisha kuptuar mirë atëherë se kujt i takonte saktë ai përemri “ne”, familjes tonë apo regjimit komunist në Shqipëri. Më pas u binda kur, rast pas rasti, e pashë vetë që im atë, me atë “ne” që kishte theksuar, kishte pasur parasysh fundin e plejadës së vet, që në fakt kishte qenë në pushtet që nga 29 nëntori i vitit 1944. Dhe jam i bindur edhe sot se ai kishte qenë gjitmonë i heshtur, punëtor dhe me njëfarë shprese se mund të bënin diçka në të ardhmen, pa Enver Hoxhën. Kishte qenë një nga manaxherët më të aftë të asaj partie, me një sens të gjallë tregtari që e njihte mirë tregun e vendit të tij, që e dominonte vetë, ndonëse me një punë rropatëse që unë vetë e kam parë, kuptohet. Ishte atëherë pesëdhjetë e shtatë vjeç dhe veten e ndiente në kulm.
Më vonë do të kujtohesha shpesh e më shpesh për këtë takim të marsit të vitit 1975 sepse ka mbetur i pashlyer në kujtesën time. Ndoshta për faktin se ishte hera e parë që im atë, Kiço Ngjela, ministri më jetëgjatë i të gjitha regjimeve komuniste, foli diçka kundër udhëheqësit të tij prej disa dekadash, duke më dhënë mua, ndërkaq, shenjën se diçka kishte ndodhur edhe midis tij dhe regjimit. Marsi i vitit 1975, ishte koha kur patjetër kishte nisur të akumulohej edhe orteku që do ta rrëzonte atë vetë, mbasi, ndërkohë, kishte filluar lufta retorike midis Hoxhës dhe Avdyl Këllezit e Koço Theodhosit, sidomos kundër këtij të fundit. Por aty, midis tyre e bashkë me ta, si i goditur nga Partia, pas disa muajsh e gjeti veten edhe Ngjela. Domethënë pushka e të marrit e kishte kapur edhe atë. Atëherë, përse nuk u fsheh kur e kishte ditur këtë? Në të vërtetë, kjo kishte qenë krejt e pamundur. Që të kishte mundësi të fshihej e të mos e kapte plumbi i të marrit duhej që ta kishte kuptuar këtë gjë të paktën një vit më parë dhe të kishte qenë i qartë e ta kishte ditur sak arsyen, përse ishin goditur e dergjeshin burgjeve prej shumë vitesh kolegët e tij: Bedri Spahiu, Liri Belishova, Xhavit Qesja etj. Ai nuk e kishte bërë atë analizë, prandaj ishte vërtet vonë tani për të gjetur mundësinë e mbrojtjes së tij; ishte i vonuar si të gjithë të tjerët, të cilët i gjeta më pas në burgun e Burrelit, ku i pashë edhe si ish sundues por edhe si viktima; atje ku, i njoha më në fund dhe u sqarova përse edhe këta kishin qenë pjesë të veçanta të tragjedisë së Shqipërisë komuniste. Por, sigurisht që, për këtë çështje, do të flas me vonë, gjatë gjithë këtij libri.
Marrëdhëniet e mia me tim atë kishin qenë tepër interesante. Në të vërtetë, ai ka qenë ndoshta nga të rrallët ministra komunistë në botë që kishte pranuar qetësisht të bashkëjetonte me të birin e vet, i cili, për shtatë ose tetë vjet rresht, s’kishte bërë gjë tjetër veçse i kishte sharë e kritikuar regjimin që ai përfaqësonte. Më pas, të dy, at e bir, jetuam për pesë vjet rresht në një dhomë burgu, njëlloj të dy, në Burrel, si “armiq të popullit”; edhe unë që kisha qenë kundërshtar i hapur i regjimit komunist, edhe ai që kishte qenë një mbrojtës i vendosur i tij, njëzetë e tetë vjet ministër; që kishte gëzuar të gjitha privilegjet; që ishte i vetmi përfaqësues i nomenklaturës së lartë shqiptare që shkonte në të gjithë botën; që mund të takohej me këdo; që lidhte marrëveshje tregtare e nënshkruante kontrata kudo; që kishte qenë i afërt me Mikojanin e Patolicevin në Moskë e më pas me Çu En Lain e Lih Sin Nienin në Pekin; që ishte takuar me Stalinin, me Fidel Kastron, me Mao Ce Dunin dhe, dy herë, edhe me Che Guevarën, me te gjithë sekretarët e parë dhe kryeministrat e vendeve komuniste, por që më në fund e kishte kapur edhe atë ai “plumbi i të marrit”, sipas figurës që vetë kishte përdorur për këtë rast.
*Nesër në MAPO Spartan Ngjela kujton arrestimin e të atit...