E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i organeve, Sonmez: Kam kryer transplante për shumë para

Pranon se ka bërë shumë transplante në Kosovë, në spitalin “Medicus”, por thotë se në dokumente ka shkruar se ato i kreu për të tjerët. Yusuf Sonmez, apo doktor “Vampiri”, i cili akuzohet në rastin “Medicus”, ka rrëfyer për mediat kosovare, duke pohuar se ka marrë para të majme për të kryer punën e tij, por jo siç thuhet (100 mijë dollarë për një transplant).

Deklaratat e tij janë pjesë e filmit “Tales from the organ trade” (Tregimi nga shitja e organeve), i regjisores amerikane Ric Esther Bienstock, që është një hulumtim rreth rastit të spitalit “Medicus” në Kosovë, ku janë bërë transplante të organeve të njerëzve.

Regjisorja, në film e saj, e quan Somnezin si famëkeq. E njëjta ka intervistuar edhe familjarë të tij. E ëma e doktor Somnezit deklaron se ai biri nuk e ka mbytur askënd, ndërsa bashkëshortja pohon se ai nga pamja mund të duket i frikshëm, por në realitet është shumë i butë, transmeton Kosovapress.

Vet Somnez thotë se, megjithëse është akuzuar me dhjetëra herë për transplantim ilegal apo transplantim të paligjshëm, gjithmonë është shpallur i pafajshëm.

Regjisorja e këtij filmi thotë se pavarësisht hulumtimit, nuk ka qenë qëllimi i saj të ndërtojë një lajm ose të pasqyrojë ngjarjen bardhezi, por një dokumentar ku në qendër janë njerëzit që tregojnë pse kanë kërkuar shitjen e organeve dhe mjekët që e kanë bërë një gjë të tillë.

Në rastin "Medicus", Gjykata Themelore e Prishtinës ka dënuar të akuzuarit me 20 vjet burgim: Lutfi Dervishi është dënuar me tetë vjet e 10 mijë euro; djali i tij, Arban Dervishi, është dënuar me shtatë vjet e tre muaj burg dhe me dymijë e 500 euro gjobë; Sokol Hajdini u dënua me tre vjet burg, ndërkaq Driton Jilta i ka shpëtuar dënimit. Islam Bytyqi është dënuar me një vit, Sylejman Sulla gjithashtu me një vit. Që të dy janë dënuar me nga dy vjet me kusht që të mos përsërisin veprën e njëjtë penale. Ilir Rrecaj, ish-sekretar permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, është shpallur i pafajshëm.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›