E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA studion skenarët e mundshëm të sulmit kimik në Siri

KUALA LUMPUR- Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel deklaroi sot se forcat amerikane ishin të gatshme të ndërhynin ndaj regjimit sirian, por nënvizoi se Uashingtoni ishte ende duke verifikuar informatat mbi sulmin me armë kimike. 

"Presidenti, Obama i kërkoi Departamentit amerikan të Mbrojtjes të përgatiste opsionet për të gjithë skenarët e mundshëm. Ne e kemi bërë këtë", tha Hagel për gazetarët në Kuala Lumpur të Malajzisë, etapa e parë e turit të tij në Azinë juglindore. 

"Edhe njëherë e theksoj, se ne i kemi përgatitur të gjitha opsionet e mundshme dhe presim përzgjedhjen e njërës prej alternativave të parashtruara", shtoi ai. 

Shefi i Pentagonit u shpreh se SHBA dhe aleatët e tyre ishin duke verifikuar informacionet sipas të cilave forcat e regjimit të presidentit sirian, Bashar Al-Assad ishin përgjegjëse për sulmin me armë kimike në një bastion të rebelëve në periferi të Damaskut. 

"Nuk do të them asgjë më tepër, deri sa të kemi verifikuar të gjitha të dhënat", nënvizoi sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel.
(e.m/afp/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›