E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i organeveEULEX: S’ka hetimepa dëshmi konkrete

PRISHTINE- Pavarësisht miratimit në Këshillin e Evropës të rezolutës së zviceranit Dick Marty, e cila i bën thirrje misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit të nisë hetimet mbi dyshimet për trafikim me organe njerëzore në Kosovë e Shqipëri, EULEX refuzon të nisë procesin hetimor pa marrë më parë evidencën mbi të cilën janë bazuar akuzat.

Zëdhënësja e EULEX-it, Aleksandra Xhorxh, shpjegon se EULEX-i nuk mund të nisë asnjë hetim lidhur me akuzat për trafik organesh në Kosovë dhe Shqipëri, pa evidenca konkrete nga ana e hartuesit të raportit.

EULEX-i ka dërguar dy letra në adresë të Dick Marty, përmes të cilave i bën thirrje të furnizojë autoritetet e prokurorisë në kuadër të EULEX-it me çfarëdo informacioni që mund t'i ndriçonte akuzat e bëra në raportin e tij.

Raporti i zviceranit Marty akuzon kryeministrin në dorëheqje të Kosovës, Hashim Thaçi, ta ketë udhëhequr një grup të ish-ushtarëve të UÇK-së në trafikimin me organe njerëzore, armë dhe drogë.
Raporti përmend dhe “Shtëpinë e Verdhë”, për të cilën u fol më parë në librin e ish-kryeprokurores së Hagës, Carla del Ponte.

Hetimet, e zhvilluara në “Shtëpinë e Verdhë” nga Gjykata e Hagës, por edhe nga EULEX-i, nuk kishin nxjerrë ndonjë fakt që do të mund të mbështeste akuzat se në atë vend është bërë trafikim organesh njerëzore.

(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›