E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitja e argjendarisë, hetohet hakmarrja

Plagosja e pronarit të argjendarisë, Dashamir Leka, pasditen e të shtunës, pranë bingo “Madrid” në Tiranë, mund të mos ketë pasur grabitjen si shkak të saj.

Dashamir Biçaku

Kjo është njëra prej pistave që po heton policia e kryeqytetit në lidhje me ngjarjen e ndodhur të shtunën rreth orës 17:00, në dyqanin e Dashamir Lekës në kryeqytet. Ky version i hetimit është konfirmuar dje nga burime të seksionit të hetimit të vrasjeve që po verifikon ngjarjen në bashkëpunim me komisariatin nr.1 dhe seksionin e grabitjeve. Dyshimet e policisë janë shtuar edhe më tepër pasi hetuesit kanë marrë në pyetje pronarin e argjendarisë që ndodhet ngjitur me bingo “Madrid”, përballë sheshit të Ushtarit të Panjohur në Tiranë. Dashamir Leka, 56 vjeç i cili u plagos në krah pasi u qëllua me armë zjarri gjatë përleshjes me agresorët, ka pohuar për oficerët e hetimit se, dy të rinjtë që kanë hyrë në argjendari dhe e kanë sulmuar brenda dyqanit të tij nuk i kishin kërkuar para, apo sende me vlerë, si bizhuteri dhe artikuj të argjendarisë. Vlera e këtij malli që ndodhej në banakun e qelqtë, sipas policisë kapte shifra të konsiderueshme financiare. Gjithsesi asnjë prej tyre nuk u prekën nga grabitësit të cilët duket se nuk kanë kërkuar as ndonjë shumë parash gjatë sulmit të armatosur mbi Dashamir Lekën. Në këto kushte, policia ka hedhur idenë se autorët mund të kenë sulmuar pronarin e argjendarisë për shkak të ndonjë konflikti të mundshëm apo përplasjeje që i dëmtuari mund të ketë pasur më parë me ndonjë person.
Dëshmia e pronarit
Pikërisht për këtë dyshim, oficerët e policisë kanë pyetur të dëmtuarin, si dhe anëtarë të familjes së tij. Por përgjigjja e tyre ka qenë e qartë dhe që nuk linte vend për dyshime të policisë. “Nuk kam pasur konflikt me njeri”, mësohet të ketë thënë gjatë dëshmisë së dhënë në spital pronari i plagosur i argjendarisë. Pas marrjes së këtyre sqarimeve, hetuesit kanë drejtuar dyshimet e tyre edhe në objektin ngjitur me argjendarinë, bingo “Madrid”. Policia dyshon se ndonjë klient i ri në moshë që mund të ketë humbur paratë në bingo, ka zgjedhur t’i zëvendësojë ato nëpërmjet grabitjes së argjendarisë që ndodhej ngjitur. Agjentët dhe oficerët e hetimit të krimeve në policinë e Tiranës thanë se, mbetet për t’u sqaruar fakti se nëse paratë nuk janë kërkuar për shkak të kohës së munguar, apo për shkak të faktit se agresorët e armatosur nuk kanë pasur në të vërtetë grabitjen si qëllim në veprimet e tyre. Aktualisht pronari i argjendarisë ndodhet në Spitalin Ushtarak ku po kurohet nga mjekët për shkak të plagës që pësoi gjatë përleshjes me grabitësit e armatosur. Sipas mjekëve, Dashamir Leka ka një thyerje në krah për shkak të goditjes nga plumbi.

Policia: Autorët e ngjarjes, të paskeduar
Dy autorët e ngjarjes së ndodhur pasditen e të shtunës në qendër të Tiranës, nuk janë të skeduar nga policia e Tiranës, për ndonjë vepër penale të kryer më parë. Po kështu edhe arma e krimit një pistoletë “TT”, nuk është e skeduar në ndonjë qitje që ajo mund të ketë kryer. Kjo është përgjigjja e ekspertëve të Policisë Shkencore, pas kryerjes së krahasimeve të gjurmëve të gishtave të gjetura në vendin e ngjarjes, si dhe 2 gëzhoja të qitura nga arma që mbanin ata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›