E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragetet nisen me vonesë. Pritën pasagjerët kosovarë

Mbi 17 autobusë në të cilën udhëtonin qytetarë nga Kosova drejt Durrësit kanë hasur vështirësi në lëvizjen e tyre për shkak të motit të keq dhe reshjeve të dendura të dëborës. Tragetet janë nisur 5 orë me vonesë. 

DURRES-  Katër tragete janë nisur sot 5 orë me vonesë drejt portit të Barit në Itali. Shkak është bërë vonesa e udhëtarëve koosvarë të cilët kishin prenotuar udhëtimet. Mbi 17 autobusë në të cilën udhëtonin qytetarë nga Kosova drejt Durrësit kanë hasur vështirësi në lëvizjen e tyre për shkak të motit të keq dhe reshjeve të dendura të dëborës.
Pasagjerët kosovarë kanë njoftuar autoritetet portuale dhe kufitare për vonesën dhe i kanë kërkuar drejtuesve të trageteve të shtyjnë për disa orë lundrimin drejt Barit. Lundrimi që ishte planifikuar të nisej në orën 23.00 të mbrëmjes së të shtunës është nisur në orën 04.00 të mëngjesit të së dielës pasi janë sistemuar të gjithë udhëtarët që kanë mbërritur në terminalin e trageteve.

Nga kapitaneria e portit të Durrësit mësohet se gjatë ditës së djeshme, brenda 24 orëve janë nisur 8 tragete me 5200 pasagjerë drejt Italisë. Gjatë ditës pritet të mbërrijnë edhe pesë tragete të tjerë nga porti i Barit. Mësohet se lëvizja e trageteve është normale dhe moti i keq nuk ka shkaktuar vonesa.

(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›