Sulmi ndaj gazetarit Mero Baze, dëshmi e rritjes së arrogancës së mafies qeveritare
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë janë të shqetësuara nga ngjarja e shëmtuar e djegies së makinës së gazetarit Mero Baze. Ngjarja ndodhi rreth orës 03 të mesnatës duke u gdhire data 31 dhjetor pas një zjarri të qëllimshëm provokuar në pjesën e pasme të saj. Dy organizatat e Gazetarëve në Shqipëri shprehin shqetësimin për shantazhin e skajshëm dhe dhunën psikologjike ushtruar mbi zotin Baze dhe familjen e tij përmes këtij akti të rëndë. Ne i bashkohemi thirrjes së zotit Baze që policia të hetojë në mënyrë të paanshme dhe të mos ndikohet nga raportet e gazetarit me qeverinë. Ajo ka dokumentuar vendin e krimit dhe mori dëshmitë e zotit Baze dhe djalit të tij. Shpërthimi pason një acarim të dukshëm publik të zotit Baze me kryeministrin, Sali Berisha, dhe ritransmetimin e tri emisioneve problematike në emisionin “Faktori Plus”, që bënin fjalë për ngjarjen e Gërdecit, rrugën Rrëshen-Kalimash dhe privatizimin jotransparent të shoqërisë shtetërore ARMO të transmetuara në datën 29 dhe 30 dhjetor. Dy organizatat e Gazetarëve në Shqipëri e dënojnë ashpër këtë atentat ndaj fjalës së lirë dhe sigurisë publike të gazetarëve në Shqipëri dhe i bëjnë thirrje drejtësisë ta hetojë sa më shpejt këtë rast, zbardhja e të cilit do frenonte sulmin e mafies ndaj shtypit. Dy organizatat e Gazetarëve në Shqipëri janë seriozisht të shqetësuara nga injorimi dhe cinizmi me të cilin kryeministri, Sali Berisha, dhe partia e tij kanë dëshmuar ndaj këtij rasti, i cili do rrisë arrogancën e krimit dhe mafies së lidhur me politikën ndaj shtypit të lirë.
Klubi i Gazetarëve Shqiptarë në Diasporë
Klubi i Gazetarëve Shqiptarë, të kudondodhur jashtë kufijve të Shqipërisë, në Evropë dhe në Amerikë, bën këtë deklaratë publike në mbrojtjen e vlerave të demokracisë mbi lirinë e shtypit për gjithë median shqiptare:
Edhe pse shumë larg, ndjekim me shqetësim qytetar gjithë ngjarjet që zhvillohen në Atdhe. Veçanërisht këto kohët e fundit, ndaj medias në përgjithësi, por edhe gazetarëve, të cilët janë pjesë e informacionit publik, ka pasur një dhunë, presion e shantazhe që duhet të jenë krejtësisht të huaja për një vend si i yni që inspiron të futet në rrjedhat evropiane dhe më gjerë. Pas violencës së zëvendëskryeredaktorit të gazetës “Albania”, pak ditë më parë në dyert e asaj redaksie, në mbrëmjen e 30 dhjetorit i është vënë zjarri autoveturës private të gazetarit të mirënjohur Mero Baze, njëkohësisht edhe botues e drejtor i gazetës “TemA”. Ky akt vandal ka ndodhur pikërisht pranë shtëpisë së tij në Tiranë, nga persona ende të panjohur. Pa dashur që ta paragjykojmë këtë akt vandal e mesjetar mbi kolegun tonë Baze, i cili njihet edhe si gazetar tepër kritik në fenomenet e skandalet korruptive që kanë të bëjnë me qeverinë aktuale dhe personalisht me kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, dëshirojmë që ky agresion e krim i pashembullt të mos ketë një prapavijë politike. Ne dënojmë njëzëri këtë akt primitiv të njerëzve të rrugës e të errësirës, i cili të shton dyshime serioze, dhe paralajmëron një kërcënim të rrezikshme për jetën e gazetarit Mero Baze.
Kërkojmë menjëherë nga qeveria dhe organet e saj speciale, që të hedhin dritë mbi këtë skenar ogurzi për median, dhe të zbardhin gjithçka deri në vënien përpara drejtësisë shqiptare të organizatorëve dhe zbatuesve të këtij sulmi e krimi të paprecedent. Gjithashtu, i drejtohemi shefit të ekzekutivit shqiptar, kryeministrit Sali Berisha, që të distancohet e të ushtrojë që të gjitha kompetencat e tij për të parandaluar aktet të tilla monstruoze e vandale ndaj medias së lirë dhe jetës së kolegëve tanë gazetarë.
Klubi i Gazetarëve Shqiptare në Diasporë shpreson në një angazhim serioz të të gjithë strukturave të shtetit, për t’i thënë “Jo” njëherë e përgjithmonë dukurive të tilla, që cenojnë emrin dhe proceset demokratike që kanë nisur pas rrëzimit të diktaturës komuniste te ne.
Zëri i Amerikës
Në orët e para të mëngjesit të sotëm automjeti i botuesit të gazetës “TemA”, Mero Baze, njëkohësisht dhe autor i një emisioni politik, u dogj dhe më pas shpërtheu poshtë pallatit ku banon zoti Baze.
Botuesi i gazetës “TemA”, ish-korrespondent i Zërit të Amerikës në Tiranë, i njohur për pozicionin e tij kritik ndaj qeverisë, e konsideroi ngjarjen një akt të rëndë shantazhi mbi të dhe familjen e tij për shkak të profesionit si gazetar.
Edhe Unioni i Gazetarëve tha në një deklaratë se për shumëkënd ky akt mund të konsiderohet i qëllimshëm.
Gazeta “TemA” u përfshi në fillim të këtij muaji në një përplasje direkte me qeverinë pas vendimit të kësaj të fundit për të prishur një kontratë investimi të lidhur me shoqërinë e drejtuar nga zoti Baze, e cila kishte marrë me qira një ndërtesë ku kishte vendosur shtypshkronjën e saj në bazë të një marrëdhënieje të rregullt juridike.
Gazetës “TemA” tashmë i kërkohet të lëshojë ambientet ku janë bërë investime në shuma të konsiderueshme. Policia, e cila shkoi mbrëmë në vendngjarje, nga ana e saj tha se ekspertët e saj po punojnë mbi disa pista hetimi.
Mbi këtë ngjarje reagoi edhe Partia Socialiste, sipas së cilës ngjarja është një zhvillim dramatik mes kryeministrit, Sali Berisha, dhe një gazetari, i cili, sipas saj, është ndër denoncuesit kryesorë të aferave korruptive të qeverisë.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit
Komiteti Shqiptar i Helsinkit dënoi aktin e kryer ndaj makinës së gazetarit dhe drejtorit të gazetës “TemA”, Mero Baze. “Nuk është hera e parë që gazetarëve të medias së shkruar dhe elektronike në forma të ndryshme iu bëhet presion që të heshtin, të mos kritikojnë dhe të mos informojnë publikun për çështje që ai është interesuar”- shkruhet në njoftimin për shtyp të shpërndarë për median shqiptare.
Makina e drejtorit të gazetës “TemA”, Mero Baze, shpërtheu rreth orës 03:00 të mesnatës duke u gdhirë data 31 dhjetor. Komiteti Shqiptar i Helsinkit kujton se brenda një harku kohor dyjavor dy akte të dhunshme janë kryer ndaj përfaqësuesve të medias së pavarur dhe deklaron se në të dy rastet “policia nxitoi dhe paraqiti përfundimet e hetimit brenda një kohe shumë të shkurtër”.
“KSHH, pa paragjykuar çështjen e djegies së makinës, e konsideron atë një akt që ngjall dyshime të bazuara që zjarrvënia ka qëllime presioni, aq më tepër që makina ishte pronë e drejtorit të gazetës “TemA”, organ i medias së shkruar, që kohët e fundit ka qenë dhe është kritik ndaj qeverisë dhe disa funksionarëve të saj”, - vazhdon më tej deklarata e Komisionit Shqiptar të Helsinkit.
“KSHH mendon se akti i mësipërm imponon hetime të shpejta, të gjithanshme dhe objektive lidhur me rrethanat e ngjarjes. Hetimet e saj duhet të përfshijnë të gjitha versionet e mundshme, aq më tepër që vetë i dëmtuari e konsideron atë një presion ndaj fjalës së medias dhe gazetarëve.”
KSHH mbyll deklaratën për shtyp duke i vlerësuar si të parakohshme konkluzionet e akt-ekspertimit, të cilat mund të jenë të dëmshme lidhur me ecurinë e hetimit të mëtejshëm të çështjes.
Besnik Bare
Partia Socialiste
Djegia e makinës së botuesit dhe gazetarit Mero Baze është një zhvillim dramatik në kuadrin e përplasjes së hapur mes kryeministrit Berisha dhe njërit prej denoncuesve më të mëdhenj të korrupsionit qeveritar e të aferave të zeza të oborrit kryeministror.
Sali Berisha duhet, jo vetëm ta dënojë publikisht këtë akt dhune, por edhe të gjejë zjarrvënësit, nëse nuk do që hija e rëndë e dyshimit të mbetet mbi të dhe nëse ky krim nuk është përshkallëzim brutal i vendimit të turpshëm të Sali Berishës për të nxjerrë gazetën e Mero Bazes nga godina ku prodhohet.
Fredi H.
soccerdinamo@aol.com
Me rastin e fatkeqësisë së djegies së makinës së z. Baze, i paraqes atij dhe familjes së tij përkrahjen time morale dhe shpirtërore. Me shumë respekt për punën tuaj, për atë profesion që tani është bërë shumë i vështirë në Shqipëri.
Arbeni
Itali
Z. Mero!
Jam i lumtur të të uroj Gëzuar Vitin e Ri! Më erdhi keq kur mësova nga gazeta lajmin për djegien e makinës, epo këto janë dhuratat për vitin e ri, disave
kulaçin, kundërshtarëve kërbaçin!
Ti tashmë me guximin tënd dhe denoncimet e tua je bërë njeriu i ditës në Shqipëri dhe me gazetën që drejton na bën që të besojmë se një ditë shqiptarët do ta kuptojnë se çfarë prapaskenash të shpifura bëhen nën emrin e tyre. Lista e gjatë e mbështetësve të tu më bën të lumtur që nuk je vetëm dhe kjo shton obligimin tënd për ta vazhduar deri në fund betejën tënde.
Rexhep Ismaili
Prishtinë
Për shkak se shkrimet në gazetën “TemA” janë aq të sakta, të dokumentuara, njeriut i vjen ndër mend një pyetje: Çka janë këto reagime të kryeministrit, Sali Berisha?! Ai do të mbyllë gazetën “TemA” në pamundësi tjetër të mbrojtjes ndaj realitetit të hidhur të Shqipërisë, me njeriun i cili udhëheq një komb aq të vobektë, të cilit ia merr prej gojës një pjesë të bukës që Zoti ia ka dhuruar. A është e mundur që njeriu, i cili udhëheq shtetin shqiptar, të punojë kaq shumë kundër popullit të vet duke ia zhvatur një pjesë të pasurisë së tij dhe a është Sali Berisha i barabartë me 3.000.000 shqiptarë apo shumë ma i fortë?!
Nëse Enver Hoxha ishte diktatori, i cili mbyti me mijëra njerëz të afërt, bashkëpunëtorë të vet dhe jo, ky i vret në mënyrë tjetër, mafioze, që do ia kishte zili edhe mafia e Çikagos. Ky është turpi i shqiptarëve, çka po ndodh? 20 vjet kam punuar dhe jetuar në Austri, po me vjen gërdi për këto që po lexoj dhe dëgjoj për çka po ndodh në Shqipëri. Kryeministri kundër vendit të vet?!! Ai duhet të ndërrohet për dy orë nga partia e vet, në të kundërtën do ta ndërrojë populli me një revolucion të shpejtë.
Man Shuti
manshuti@yahoo.com
Washington DC, USA
Kur mëson gjëra të tilla, siç ishte ai i rastit të makinës së drejtorit të gazetës “TemA”, z. Mero Baze, vërtet të zë trishtimi, por ky trishtim ishte i pritur, përderisa klika diktatoriale e Sali Berishës është në pushtet.
Gjëra të tilla të rëndomta ndodhnin edhe në vitin 1997, kur ky njeri ishte në grahmat e fundit të pushtetit të tij diktatorial. Tani, mbas qershorit të këtij viti, Sali Berishën e pret jo vetëm lënia e pushtetit, por edhe ballafaqimi me drejtësinë shqiptare për të gjitha aferat korruptive të tij
dhe të ministrave të ndryshëm, kur dihet se në sektorin e financave kanë bërë kërdinë.
Si nënshtetas shqiptar ndjej keqardhje të madhe, kur shikoj Damir Fazlliçin në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, duke u krekosur si gjeldeti, a thua se ky rrugaç dhe kontrabandist është ai që vendos për gjithçka dhe për çdo gjë në këtë vend të çudirave të mëdha. Ndodh kështu, sepse në drejtimin e shtetit është po ai njeri i 1997, është po ai, për shkak të të cilit u vranë rreth 3000 veta dhe nuk jepte dorëheqjen, pra këtu kemi të bëjmë me një komunist të pandreqshëm që për nga krahasimi mund t’ia kalojë edhe të mallkuarit Enver Hoxha.
Shpërthimi i makinës së një prej kolosëve të fjalës së lirë, z. Mero Baze, është sa trishtues, aq edhe primitiv. Kur mendojmë se në krye të shtetit shqiptar është po ai komunist i para 45 viteve, është po ai sekretar partie, i cili shumë e shumë të këqija i ka sjellë atyre njerëzve të Fakultetit të Mjekësisë duke dhënë mendime për përjashtime, burgosje dhe
internime, atëherë kemi të drejtë të themi se këto gjëra janë të pritshme.
Nuk mund të presësh gjëra të mira nga ky njeri, i cili në këto 18 vite të ashtuquajtura demokratike, ka nxjerrë me qindra grupe armiqësore në gjirin e PDSH duke i përjashtuar dhe duke i zëvendësuar me servilë të pafytyrë që dinë të luajnë lojën e tij, që dinë t’i servilosen atij, që dinë të thonë nëpër mitingje vetëm fjalët ‘O Sali, o flori’...
Koha e këtyre mjeranëve me në krye demagogun Sali Berisha do të marrë fund njëherë e përgjithmonë në zgjedhjet e qershorit të këtij viti me shpresën e madhe se një ditë do të përballen me drejtësinë shqiptare për dëmet materiale dhe morale që i kanë shkaktuar këtij populli të shumëvuajtur.
Adrian
adrianbrakaj72@libero.it
Mos duhet të kemi frikë se primitivizmi shtetëror mund të na kontrollojë dhe e-mail-in dhe të na mbyllë gojën për fjalën e lirë? Mendoj se po ia arrin me djegiet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve. Mjerë vendi ynë nga kush drejtohet!
Leonard
brahaj_leonard@hotmail.com
Toronto
Dhurata e kryeministrit
Posi plaku i Viti-t Ri
shpërnda dhurata o Sali,
Mero Bazes mbi makinë
i le një shishe benzinë
Ishe i lodhur, i dërrmuar
të shkoje lart ke përtuar,
mirë që e le te shkalla
se do ish djegur mëhalla
Dhuratën që kishte pritur
ti vetë ia ke porositur,
ARMO-n e ka kritikuar
ajo dhuratën ka menduar
Mero! Ke fat o i uruar
Gërdeci s'ka sponsorizuar,
do të kishin vënë barot,
as ty s'do të gjenin dot
Kosta iku e vdiq vetë
na kurseu një marifet,
mos ishte vrarë si gjahtar
diçka tjetër do kish ngjarë
Ruhu nga fals kontakti
që po përgatit lugati,
po ta sqaron bosi vetë
që protesta nuk do ketë
Ndrysho! Bëhu djal’ i mbarë
ke tri dhurata për të marrë
Nga Luli, Gërdeci, Fazlliçi
që kanë mendje prej dobiçi
Kjo e ARMO-s qe e lehtë,
e provoi makin’ e shkretë,
po e njeh mirë Salinë,
ruaje veten e shtëpinë
Shumë festa pas po vijnë
pakot gati janë, po rrinë
në shkurt për Shën Valentin
mund ta shprehin dashurinë
Raimonda Moisiu
Moisiuh@aol.com
Hartford CT, USA
Para një viti bota e medias dhe gazetarët në botë u shokuan nga lajmet tronditëse dhe kriminale ndaj gazetarëve që po ndodhnin në vende të ndryshme të botës, përfshi edhe Shqipërinë tonë. Por në mënyrë të veçantë bota do të shokohej nga mënyra që përdorte Putin për të zhdukur kundërshtarët e tij politikë, kryesisht gazetarët, njerëzit e medias. Putin hodhi në veprim FSB (Shërbimin sekret apo thënë ndryshe “Ruleta ruse”. Në atë kohë gjithë mediat prestigjioze në botë, amerikane dhe angleze, do të jepnin lajme mbi zhdukjen e gazetares Anna Politkovskaya dhe helmimit me polonium të agjentit Aleksandër Litvinenko, të cilët u zhdukën nga FSB (shërbimi sekret pranë Putinit). Sot, mbas një viti, opinioni publik shqiptar në ditën e fundit të vitit 2008 do të tronditej dhe shokohej nga atentati i pastër politik ndaj publicistit dhe analistit Mero Baze. Duke lexuar shtypin shqiptar dhe “Ditari i një shpërthimi të
paralajmëruar”, m’u kujtua “Ruleta Ruse” dhe përngjasja që ka situata kërcënuese dhe paralajmërimet: “Shout your mouth” or “Death”. Jeta e njerëzve të medias në Shqipërinë tonë është në rrezik. Në rast se në Rusi vepron “Ruleta ruse”(FSB), në Shqipëri përpos gjithë atyre aferave të korrupsionit, ndyrjes, pasurimit të shpejtë e marramendës të fëmijëve të kryeministrit, përfshirjes së familjes kryeministrore në këto afera, që vetvetiu pjellin urrejtje, dhunë e deri e vrasje, por kanë krijuar edhe “FSB shqiptare” me seli në ndërgjegjen e kryeministrit e pranë jetës gjeografike rreth tij.
Duke i dhënë mbështetjen time z. Mero Baze, ju jap forcë e kurajë: Të mos dorëzoheni para shantazheve, kërcënimeve, dhunës, terrorit psikologjik e fizik qeveritar e kryeministror! Të mos ndaleni më shumë se kurrë ta thoni fjalën e mendimin e lirë, të shenjtë, ashtu si duhet në një botë të lirë, sigurisht mes një kalvari dhimbjesh e konsekuencash, për ta sfiduar terrorin e shtetit (shtet i thënçin, se nuk ka shtet, por ka tribu në krye të vendit) që të fitojë drejtësia!
E gjithmonë fjala e medias dhe e gazetarit sfidon!
Drejtësia do të triumfojë!
Pranë Jush e familjes Tuaj
Petrit Nika
pmgny@verizon.net
Zoti Mero Baze,
Unë jam një bashkatdhetar nga Nju-Jorku. Ndoshta nga pikëpamjet dhe bindjet e mia jam më shumë nga qendra. Por ty, personalisht, do të të uroja shumë për guximin dhe paanshmërinë e trajtimit të temave të mprehta që shqetësojnë dhe gërryejnë atë vend. Por do iu bëja thirrje edhe atyre kolegëve të tu gazetarë, që shumë herë dalin e bëjnë show televiziv nëpër emisione, që ta kthejnë profesionin e tyre nga një gazetar që përkrah korrupsionin (që bën gjoja që po e lufton në media), në gazetarë që e zbulojnë dhe e luftojnë atë. Le të jetë kushdo ai që vjedh, Sali Berisha apo Edi Rama. Ai duhet të tregojë aftësinë e tij duke ia zbuluar çdo padrejtësi apo abuzim që bën me detyrën në dëm të interesave të qytetarëve. Të mos jenë vetëm me gojë luftëtarë të korrupsionit nëpër emisione, por të shkruajnë dhe denoncojnë çdo rast që ka korrupsion. Do i bëja thirrje Sali Berishës dhe të gjithëve si ai që të heqin dorë nga shkatërrimi i medias së lirë dhe të pavarur. Unë e di se ai për 30 vite të jetës së tij në PPSH është mësuar që t’i dënojë ashpër kundërshtarët, deri në eliminimin fizik të tyre. Në qoftë së në atë kohë quheshin tradhtarë dhe dënoheshin me një dëshmitar të rremë, tani dëshmitari nuk përdoret për dëshmi të rreme kundër teje, por paguhet për të bërë presion psikologjik deri në shkatërrimin e plotë ekonomik dhe pastaj fizik.
Sali Berisha është asgjë më shumë se një ushtar i Ramiz Alisë. Ai duhet të largohet nga politika.
Të lumtë ty edhe atyre që do punojnë për të mirën e atij vendi. Jam një lexues i rregullt i gazetës “TemA” dhe një teleshikues i rregullt i emisionit tënd në “Vizion Plus”.