E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedi në Danilovgrad, autori rus në kërkim për vrasjen e trefishtë, Mali i Zi shpall dy ditë zie

Policia e Malit të Zi është vënë në ndjekje të shtetasit rus Mikhail Shabunin (30 vjeç), i dyshuar si autori i një vrasjeje të trefishtë të kryer sot në zonën e Danilovgradit.

Autoritetet dyshojnë se i dyshuari ka përdorur armë zjarri për të ekzekutuar tre punonjës të poligonit të qitjes “Češka Zbrojovka” pranë Danilovgradit. Viktimat janë identifikuar si:

Petar Globarević (24 vjeç) nga Podgorica;

Nemanja Kapor (20 vjeç) nga Podgorica;

Momir Radonjić (67 vjeç) nga Danilovgrad.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se Shabunin është arratisur nga vendngjarje me një automjet tip Seat Cordoba (targa PG AC 472), i cili ishte në pronësi të babait të njërit prej të vrarëve.

Bllokim i zonës dhe udhëzimet për qytetarët

Departamenti i Policisë ka lëshuar një paralajmërim urgjent duke u bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë brenda banesave të tyre ndërsa po zhvillohet aksioni operacional për kapjen e të dyshuarit të armatosur.

Drejtoria e Policisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të raportojnë çdo informacion ose vendndodhje të të dyshuarit në numrin pa pagesë 122, përmes aplikacionit “Police Montenegro”, apo në çdo rrugë tjetër, duke garantuar se informacioni mund të jepet edhe në mënyrë anonime. Autoritetet rikujtojnë se fshehja e të dhënave për persona në kërkim përbën vepër penale.

Qeveria shpall 1 dhe 2 shtatorin ditë zie, shtyhet viti shkollor

Për shkak të tragjedisë, Qeveria e Malit të Zi ka marrë vendim për të shpallur datat 1 dhe 2 shtator 2026 ditë zie kombëtare. Kryeministri Milojko Spajić shprehu ngushëllimet më të thella për familjarët e viktimave dhe njoftoi se fillimi i vitit të ri shkollor në Danilovgrad do të shtyhet për ditën e enjte, më 3 shtator.

Gjatë dy ditëve të zisë, flamujt shtetërorë do të ulen në gjysmështizë në të gjitha ndërtesat publike e zyrtare, do të pezullohen aktivitetet kulturore e argëtuese dhe mediat e tregtia do të përshtatin aktivitetet e tyre në përputhje me kuadrin ligjor për ditët e zisë.

Drejtori i Policisë së Malit të Zi: Autori rus është i armatosur dhe “kërcënim aktiv”, janë bllokuar kufijtë dhe aeroportet

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Malit të Zi, Lazar Šćepanović, ka dhënë detaje të reja mbi vrasjen e trefishtë të kryer sot rreth orës 16:45 në poligonin e qitjes “Češka zbrojevka” pranë Danilovgradit, duke e cilësuar të dyshuarin rus Mikhail Nikolaevich Shabunin (30) si një “person të rrezikshëm dhe kërcënim aktiv”.

Përmes një deklarate për mediat, Šćepanović konfirmoi se i dyshuari kishte frekuentuar poligonin e qitjes ditët e fundit. Sot, pasi ka kryer qitje në poligon, ai ka hyrë brenda ndërtesës administrative dhe ka qëlluar për vdekje tre punonjësit: Petar Globarević (24), Nemanja Kapor (20) dhe Momir Radonjić (67).

“Oficerët e policisë e identifikuan të dyshuarin në një kohë shumë të shkurtër. Ai është një person i rrezikshëm që solli me vete një sasi municioni dhe armë zjarri. Përbën një rrezik potencial dhe kërcënim aktiv për sigurinë”, tha Šćepanović.

Bllokim i pikave kufitare dhe hetimet në terren

Sipas kreut të policisë malazeze, pas ekzekutimit të tre punonjësve, 30-vjeçari rus mori automjetin e njërës prej viktimave dhe u largua me shpejtësi në drejtim të paditur.

Në përgjigje të ngjarjes së rëndë, autoritetet kanë bërë të ditur se janë vënë në lëvizje të gjitha kapacitetet e policisë shtetërore:

Janë bllokuar të gjitha rrugët kryesore, pikat e kalimit kufitar dhe aeroportet e vendit.

Informacionet e marra nga qytetarët tregojnë se i dyshuari po lëvizte nëpër zonën e lumit Zeta gjatë ditës së diel dhe është parë në disa objekte të caktuara.

I dyshuari kishte hyrë në Mal të Zi me autobus, ku kishte qëndruar edhe më parë, ndonëse nuk rezultonte i regjistruar zyrtarisht në adresat e akomodimit.

Šćepanović garantoi se policia po ndërmerr çdo veprim operacional për vënien e autorit nën kontroll, si dhe për zbardhjen e plotë të motiveve që çuan në këtë krim të rëndë.

  • /rtsh.al/

    Më shumë nga Ndërkombëtare

    Të gjitha ›