E Diel, 1 Nëntor 2026

Dinamo, fitore në frymën e fundit përballë Skënderbeut

Dinamo ka arritur një fitore 1-0 në javën e dytë të “Abissnet Superiore” përballë Skënderbeut në një ndeshje që erdhi për shikuesit në ekranin e RTSH.

Një fitore në kohën shtesë dhe në inferioritet numerik. Goli i shënuar nga Farruku në minutën e 92-të bëri që një ndeshje tërheqëse të mos mbyllej me rezultat të bardhë e që do t’i rrinte ngushtë asaj çka të dyja skuadrat dhanë në fushë. Gjatë gjithë lojës në “Elbasan Arena”, Skënderbeu e Dinamo kërkuan të merrnin fitoren, edhe pse me stile të ndryshme.

Dinamo luajti më tepër me topin ndërsa korçarët ishin më vertikalë në lojën e tyre, duke dalë shpesh para porte. Rasti i parë i madh ishte i Skënderbeut në minutën e 48-të, ndërsa blutë u përgjigjën pesë minuta më pas me tronditjen e traversës.

Brenda minutës së 53-të erdhi edhe një kundërzbritje e korçarëve që rrezikuan por fituan vetëm një goditje nga këndi. Kur mbushet një orë lojë, Vila shënon një gol të bukur me gjuajtje nga jashtë zonës, por pas sinjalizimit nga VAR goli anulohet për faull në fillim të aksionit.

Në minutën e 87-të një aksion i bukur i Dinamos u mbyll krejt ndryshe nga sa mund ta kishte menduar, me një karton të kuq për Qardakun, i cili mori të verdhën e dytë për simulim në zonë. Me çekuilibrimin e forcave ndeshja po shkonte drejt mbylljes pa gola, por në të 92-tën Farruku gjuajti saktë me të majtën dhe shënoi golin e parë të bluve në kampionat.

Në minutën e 94-t karton i kuq edhe për trajnerin e Dinamos, Daja, për protesta, ndërkohë Skënderbeu rrezikoi një minutë më pas, pa sukses. Dinamo shkon në kuotën e tri pikëve, ndërsa Skënderbeu mbetet me një.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›