Aleanca e Mekës, Turqia, Arabia Saudite dhe Pakistani nisin zbatimin e paktit të mbrojtjes

Turqia, Arabia Saudite dhe Pakistani kanë zhvilluar në Stamboll takimin e parë të komitetit të krijuar në kuadër të Marrëveshjes së Përbashkët të Mbrojtjes së Mekës, të nënshkruar më 7 gusht.
Ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes, së bashku me drejtues të lartë ushtarakë të tre vendeve, u mblodhën në Pallatin Çırağan për të diskutuar hapat e parë të kësaj aleance.
Në qendër të takimit ishin siguria kombëtare, forcimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe rritja e bashkëpunimit mes forcave të armatosura.
Palët diskutuan gjithashtu zgjerimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes dhe rritjen e ndërveprimit mes ushtrive të tyre.
Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, deklaroi se Marrëveshja e Mbrojtjes së Mekës ka hapur rrugën për krijimin e një arkitekture të re sigurie dhe bashkëpunimi në rajon.
Sipas tij, aleanca synon të zgjerohet dhe tre vendet po punojnë për një plan veprimi që do të përcaktojë kushtet dhe procedurat për pranimin e anëtarëve të rinj.
Fidan tha se me zgjerimin e kësaj aleance pritet të rritet gradualisht stabiliteti rajonal dhe të ulet pasiguria.
Marrëveshja përcakton se një sulm i armatosur ndaj njërit prej tre vendeve do të konsiderohet si sulm ndaj të gjithëve, duke krijuar një mekanizëm të mbrojtjes kolektive të ngjashëm me parimin e Nenit 5 të NATO-s.
I pyetur për deklaratat e fundit të qeverisë Netanyahu, që e kanë cilësuar Turqinë si një kërcënim strategjik, Fidan reagoi ashpër duke thënë se Netanyahu është kthyer në një kërcënim për sigurinë ndërkombëtare. Ministri turk shtoi se sistemi ndërkombëtar duhet të bashkohet për t’u përballur me atë që ai e cilësoi si kërcënimin që paraqet Netanyahu
Gazetar: A.Mata
/rtsh.al/