E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedi në Kolumbi, autobusi me nxënës del nga rruga dhe bie në humnerë, humbin jetën 16 studentë

Të paktën 16 të rinj kanë humbur jetën në një aksident të rëndë në Kolumbi, pranë komunës së Segovias në verilindje të vendit. Ngjarja ndodhi në një rrugë që lidh qytetin e Medellinit me bregdetin kolumbian.

Sipas autoriteteve lokale, një autobus që transportonte rreth 40 studentë të moshës 16 deri në 18 vjeç doli nga rruga për arsye ende të paqarta dhe u rrëzua në një shkëmb disa dhjetëra metra të lartë. Numri i viktimave u konfirmua nga guvernatori i rajonit Antioquia, Andrés Julián Rendón.

Nga aksidenti, 19 të rinj të tjerë mbetën të plagosur dhe po marrin trajtim mjekësor në dy spitale në qytetet e afërta të Segovias dhe Remedios. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërsa ekipet e emergjencës kanë qenë në vendngjarje për të ndihmuar të mbijetuarit.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Kolumbi dhe ka nxitur reagime ngushëllimi nga autoritetet dhe komuniteti lokal.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›