Vdekja e Thibonet, zbardhet autopsia: Vdiq nga mbytja
Instituti i Mjekësisë Ligjore përjashton dyshimet mbi vdekjen e drejtorit të “Carrefour”, Xavier Thibonet. “Rezultatet janë të qarta, vdiq nga vetëmbytja”
Autopsia e bërë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore ndaj shtetasit francez Xavier Thibonet ka dalë me konkluzionin se vdekja e tij është shkaktuar nga vetëvarja. Burime nga Instituti i Mjekësisë Ligjore i thanë MAPO-s se rezultatet e para nuk lënë asnjë vend për dyshim. “Rezultatet janë të qarta. Organet e tij jetësore kanë pushuar pas një asfiksie të imponuar nga bllokimi i rrugëve të frymëmarrjes, ndërsa këqyrja e trupit tregoi se rrugët e frymëmarrjes janë bllokuar pas varjes që ka pësuar viktima”,- thanë dje për MAPO-n burime nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Viktima 42-vjeçar Xavier Thibonet rezulton të jetë drejtori për Shqipërinë i rrjetit të supermarketeve “Carrefour”. Mungesa në punë ka alarmuar bashkëpunëtorët e tij, të cilët rreth mesditës së të shtunës e kanë kërkuar në shtëpi. Pas disa tentativave të pasuksesshme për të komunikuar në telefon, disa punonjës të kompanisë “Carrefour” kanë kontaktuar me administratorin e pallatit ku banonte 42-vjeçari. Sipas tyre, dera e apartamentit ka qenë e mbyllur nga brenda dhe pa asnjë mundësi për të hyrë në banesë. Punonjësit e pallatit së bashku me disa persona të tjerë kanë hyrë nga ballkoni i apartamentit ngjitur dhe më pas kanë thyer derën e ballkonit, duke hyrë kështu në apartamentin e katit të tretë ku banonte prej rreth 7 muajsh Xavier Thibonet. Punonjësit e pallatit kanë gjetur 42-vjeçarin në ambientet e tualetit të varur me një kabllo elektrike. Menjëherë janë lajmëruar uniformat blu dhe prokurori i gatshëm, të cilët kanë mbërritur në vendngjarje. Ekspertët së bashku me grupin hetimor kanë qëndruar deri në orën 16:00 në ambientet e brendshme të apartamentit, ku kanë marrë të gjitha gjurmët dhe provat e nevojshme. Sipas ekspertëve, mësohet se 42-vjeçari mund t’i ketë dhënë fund jetës rreth mbrëmjes së të shtunës. Sipas të dhënave të para, mësohet se Xavier Thibonet ka mbërritur në Tiranë 7 muaj më parë, si i dërguar i kompanisë “Carrefour”, e cila do të hapte një filial të sajin edhe në Shqipëri. Thibonet është transferuar nga Bullgaria, ku ka ushtruar të njëjtën detyrë, atë të drejtorit të hipermarketit “Carrefour” në Sofie, së bashku me të dashurën e tij ruse. Të dy janë vendosur në një apartament të marrë me qira në Rrugën e Elbasanit dhe vetëm tre muaj më parë çifti kishte zhvilluar edhe ceremoninë e martesës. Prej një muaji bashkëshortja e tij ruse ishte larguar nga Shqipëria dhe 42-vjeçari jetonte i vetëm. H.Hasani