E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedi në lumin Tisë? Ende asnjë njoftim zyrtar

PRISHTINE- Në Kosovë ende nuk ka njoftime zyrtare lidhur me raportet për incidentin në lumin Tisa në kufirin Hungari – Serbi të cilat u raportuan dje nga mediat kosovare. Sipas raporteve të djeshme dyshohej se 15 shqiptarë nga Kosova mund të jenë mbytur në Tisë, midis 14 dhe 16 tetorit, në përpjekje për të kaluar ilegalisht kufirin nga Serbia në Hungari.

Ministria e jashtme e Kosovës nuk ka konfirmuar raportet se ka pasur të vdekur, ndërsa thotë se ky rast ende trajtohet si i dyshuar.

Edhe misioni i BE-së në Kosovë, EULEKS, ka deklaruar se nuk ka njohuri për këtë ngjarje.

Zëdhënës i Policisë së Hungarisë, Senti Soburct, ka informuar dje për median kosovare për gjetjen e një trupi të pajetë në anën hungareze të lumit, por nuk ka mundur të konfirmojë nëse ai trup është pjesë e ndonjë grupi imigrantësh ilegal. Policia dhe Ushtria e Hungarisë vazhojnë kërkimet në vendin e fatkeqësisë.

Zëdhënësi i policisë hungareze, Çongrada Janosh Pal, citohet të ketë thënë se më 15 tetor, në afërsi të kufirit, është gjetur një burrë dhe dy fëmijët e tij, në gjendje kritike shëndetësore të shkaktuar nga hipotermia.

Vajza trevjeçare kishte marrë trajtim të menjëhershëm shëndetësor, kurse vëllai i saj njëvjeçar ishte transferuar në spital.

Autoritetet hungareze kanë nisur një procedurë penale kundër këtij personi.

Shefi i policisë në Suboticë, Boro Muçic, ka deklaruar dje se nga kolegët hungarezë është njoftuar se me rastin e kalimit të paligjshëm të kufirit në lumin Tisë, në anën hungareze është fundosur një barkë dhe se është gjetur një grua e vdekur, ndërkohë që kërkimet për të tjerët po vazhdojnë.

Muçic u ka thënë mediave serbe se informacionet janë duke u këmbyer nëpërmjet një komisioni të përzier, anëtar i të cilit është ai vetë në emër të Serbisë, dhe në anën e Hungarisë, gjenerali Janosh Luka.
(s.g//BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›