Forcimi i euros rrit depozitat bankare në valutë të huaj
TIRANE-Sipas Bankës së Shqipërisë, pjesa dërmuese e kursimeve që janë depozituar në sistemin bankar gjatë muajve të fundit, kanë qenë në euro. Totali i depozitave u rrit me rreth 25 miliardë lekë kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. 90% e kësaj shume rezulton të jetë në valutën evropiane. Ekspertët e sistemit bankar shpjegojnë se, duke parapëlqyer monedhën e eurozonës, qytetarët shqiptarë shpresojnë të fitojnë në kursin e këmbimit në momentin që do t'i tërheqin paratë e do t'i këmbejnë ato me lekun shqiptar. Por sipas tyre, një tjetër faktor që ka ndikuar në vendimmarrje është edhe përdorimi gjithmonë e më i madh i euros në vendin tonë. Forcimi i euros ndaj lekut ka nisur që në fillim të këtij viti, ndikuar edhe nga kriza globale që çoi në reduktimin e të ardhurave nga emigrantët, çka rriti kërkesën për valutë të huaj. Aktualisht, monedha e eurozonës këmbehet në treg me mbi 138 lekë, ndërkohë që rekordi i saj historik u arrit në 24 shtator, kur preku nivelin e 140 lekëve.
(d.b/BalkanWeb)
(d.b/BalkanWeb)