E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedi, shpërthen depo e armëve në Gradec

Pesë persona kanë vdekur dhe të paktën 200 të tjerë janë plagosur nga një varg shpërthimesh në një depo municionesh në fshatin Gërdec të Vorës, në afërsi të Tiranës.
Lajmi është konfirmuar nga zyra e shtypit e kryeministrit.
Mediat lokale njoftuan se numri i të plagosurve mund të jetë edhe më i madh, ndërkohë që shumica e të plagosurve janë civilë.
Shumica e viktimave, përfshirë gra dhe fëmijë, të cilët arritën në spitale, ishin nga fshatrat përreth.
Zyrtarët e qeverisë thanë se shpërthimet besohet të kenë ndodhur në kohën kur tre ekipe ekspertësh, përfshirë disa amerikanë, po asgjësonin municionet e deponuara në bazë.
Kryeministri Sali Berisha tha se "situata është shumë serioze dhe alarmante".
"Të paktën 155 veta janë hospitalizuar, 70 ndodhen në spitalin e Durrësit, 70 në Spitalin Ushtarak në Tiranë dhe 15 në Spitalin Nënë Tereza", tha ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka.
Ai tha se "personat që janë hospitalizuar kanë ardhur nga fshatrat e afërta, sepse ambulancat nuk kanë mundur të afrohen te vendi i incidentit, ku shpërthimet po vazhdonin".
Kryeministri Sali Berisha tha se janë dërguar helikopterë të ushtrisë për t'i evakuuar banorët e fshatrave që ndodhen në afërsi të depove ushtarake.
Forcat e KFOR-it në Kosovë kanë dërguar me qindra qese gjaku dhe mjete ndihmëse për mbrojtjen shqiptare.
Ministria e Mbrojtjes tha se disa shtete, si Turqia dhe Maqedonia, kanë treguar gatishmëri për t'u gjendur pranë me logjistikë dhe burime njerëzore pranë ekipeve të shpëtimit.
Forcat speciale të policisë njoftuan se janë duke e mbaruar evakuuimin e zonës ku gjendet depoja e armatimit në Gërdec, mirëpo ekpiet e mbrojtjes ende nuk kanë hyrë në zonën e depos ku ka ndodhur shpërthimi.
Shpërthimi ka qenë aq i fuqishëm sa është dëgjuar edhe 100 kilometra më larg në Maqedoni. Zëdhënësi i policisë, Ivica Kotevski,ka thënë se në shumë shtëpi janë dridhur dritaret.
"Shumë njerëz na raportuan për shpërthime të fuqishme, por nuk është regjistruar asnjë incident", ka thënë Kotevski.
Kryeministri Berisha ka marrë një telefonatë nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili shprehu të gjithë mbështetjen dhe keqardhjen e tij të thellë dhe të qytetarëve të Kosovës për këtë ngjarje tragjike dhe solidaritetin me Qeverinë shqiptare dhe gjithë Shqipërinë.
Kryeministri Berisha dhe presidenti Topi kanë pasur gjithashtu mesazhe ngushëllimi dhe solidariteti nga presidenti francez, Sarkozi, ministri i Jashtëm, Kushner, dhe personalitete të tjera të BE-së.
Shqipëria është duke e asgjësuar arsenalin e saj dhe po modernizon ushtrinë e saj, me qëllim që të marrë ftesë për NATO, muajin e ardhshëm, në Samitin e Bukureshtit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›