Bollokume me pluhur
"Spiuni" vajti herët në mëngjes dje në Elbasan. Ditë vere, bollokume, milet mbarëshqiptar. Një ditë e bukur me diell, sa vetë Zoti mendon për ardhjen e pranverës. Në orën 11.30 te pallati i Sportit nuk mund të afrohesh nga moria e njerëzve. Një fashë e madhe mbi hyrjen e ndërtesës ku zhvillohet panairi I përvitshëm uron ardhjen e kryeministrit Sali Berisha.
Dikush e njohu "Spiunin" prej fotos që ai nxjerr në gazetëdhe nxitoi t'i tregonte se kështu ishte pritur edhe shoku Nano. "Ishte gzim i madh për ne ime, se ai merrte me vete edhe Xhoin". Kryeministri erdhi dje, nën shoqërinë e ministrit Ylli Pango dhe të shumë burrave. U fut brenda, nuk ka skutë pa parë, tregtar pa takuar. Po kur doli jashtë, dhe pa turmën e madhe, hyri direkt e te benz-i qeveritar.
"Spiuni" nuk pati mundësinë ta shoëronte nga afër kryeministrin e radhës që viziton panairin e përvitshëm. U ul të pinte një kafe, Brenda, se jashtë e kishin zënë festuesit. Në tavolinë pronari i një studioje fotografike, në rrugën kryesore që të con te kalaja. Të gjithë e ngacmojnë:
Hë më, mirë sot, ke pas punë?
Fotografi pi birrën "Peroni" dhe përgjigjet me inat: Po pse, për nji ditë jetojmë. Unë du me punu përditë. Por në Elbasan ditë-natë punojnë vetëm bastet. Lloj-lloj. Ecobet, handicap aziatik, baste live, një rrugë e tërë e mbushur me qoshe bastesh në katet e para të pallateve, të mbushura ding me meshkuj.
"Spiuni" pyeti për cmimin e bollokumeve, se mos kriza e drithërave e ka rritur, sepse sic thotë Doktori është ndikuar nga përdorimi i tyre për prodhimin e etanolit. Elbasanasit janë të kënaqur që çmimi i bollokumes nuk është rritur. Dhe e sqarojnë. Bollokumja do pak miell dhe shumë vezë. Po iu shtua mielli, ajo bëhet gurabie.
Ora 13.10. Një lukuni makinash policie, me shpejtësi skëterre, hap dhe mbyll eskortën qeveritare. Një pluhur i paparë mbyt mbarëshqiptarët që ecin shkujdesur në rrugën e lënë enkas për këmbësorët, patinon bollokumet e pashitura, akulloret, sanduicët, gotat me lëngje rrobat e pastra dhe dhe fytyrat e inatosura të atyre që janë ngritur pa zbardhur për të gëzuar ditën e Verës.
-----------------------------------Elbasan i…bukur
Sërish për Elbasanin, si këndonte ai te kënga: "Elbasan i bukur, Elbasan". Kryetari i bashkisë Qazim Sejdini u ka premtuar bashkëvendasve se do t`ia ndryshojë fytyrën qytetit të luleve. Por qendra e Elbasanit nuk është ende e bukur. Kalaja është zbuluar gati një metër nga dheu, ka dalë në dritë nga heqja e kioskave, bimësisë dhe plehrave. Tani ka lulishte me dhe të sapo hedhur, stola dhe stema në muret e lashtë. Por shëtitorja është pa kalldrëm. Bashkia kishte premtuar se do ta bënte gati për festën popullore të 14 marsit, por firmës nuk i pëlqyen pllakat dhe rruga u shqep, sërish. Festuesit shëtisin në rrugën pa asfalt dhe me pluhur. Trotuari i mbaruar është shumë i ngushtë për t'i zënë të gjithë. Një tabelë në muret e kalasë tregon se afati i përfundimit të punimeve ishte 10 marsi 2008. Paletat me tulla betoni për kalldrëmin janë stivosur në cep të rrugës së pambaruar. Do të jetë një rrugë e mbyllur për makinat dhe mbrëmjeve vetëm për këmbësorët. Sigurisht ndoshta për beharin që po vjen, sepse Dita e Verës iku