Tragjedia: Tmerr në Ohër, mbyten 22 turistë bullgarë
Anija "Ilinden" është mbytur rreth 300 metra larg bregut. Turistët e moshuar nuk kanë mundur që të dalin në breg me not
Tragjedi e rëndë në liqenin e Ohrit, më tepër se 20 turistë janë mbytur teksa anija që po udhëtonte drejt Shën Naumit është fundosur. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11.00 të paradites në një zonë 300 metra larg bregut. Në total në anije ndodheshin 74 turistë bullgarë dhe stafi. Zyrtarisht është konfirmuar vdekja e 15 personave, trupat e të cilëve janë nxjerrë në breg nga palombarët. Por burimet jo zyrtare thonë për 22 të mbytur pasi ende nuk janë gjetur trupat e shtatë turistëve. Ngjarja e rëndë ka tronditur të gjithë rajonin ndërsa shkaku mendohet se është vjetërsia e anijes
Rreth orës 10 të paradites së djeshme, anija "Ilinden" e linjës Ohër -Manastiri i Shën Naumit është nisur nga moli i Ohrit. Por befas në drejtim të kampingut "Elshan" rreth 300 m larg nga bregu në një thellësi që nuk kalonte më shumë se shtatë metra, brenda pak minutash është fundosur e gjithë anija e cila mbarte 74 turistë bullgarë. Kanë qenë klithmat e një gruaje në anije e cila ka tërhequr vëmendjen e pushuesve dhe shumë personave në varka të cilët menjëherë kanë shkuar atje ku u fundos anija. Ndërhyrja e varkave të vogla i ka shpëtuar jetën shumë prej pasagjerëve të anijes, të cilët ishin duke u mbytur. Por kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për 22 personat që kanë humbur jetën.
Sipas kapitenerisë së Ohrit, anija "Ilinden" ka qenë më e vjetra dhe kishte më shumë se 60 vjet që punonte në liqenin e Ohrit në linjën Ohër -Shën Naum. Në maj të këtij viti, kjo anije ka përtërirë licencën e udhëtimit deri në vitin 2010.
Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë grupi hetimor dhe njëkohësisht pothuajse i gjithë kabineti qeveritar i Maqedonisë. Sipas burimeve policore, në anije kanë qenë duke udhëtuar 74 turistë bullgarë që shkonin në drejtim të manastirit të Shën Naumit ndërkohë që kapaciteti i anijes ka qenë jo më shumë se 40 persona.
Zëdhënësi i qeverisë së Maqedonisë, Shefki Duraki, ka thënë para gazetarëve të shumtë që ndiqnin tragjedinë se zyrtarisht janë 17 të mbytur dhe pesë të zhdukur dhe tre turistë të tjerë janë në gjendje të rëndë shëndetësore në reanimacion. Të gjithë turistët bullgarë kishin shkuar për ekskursion në Ohër dhe kishin në plan që të vizitonin edhe manastirin e Shën Naumit por që fatkeqësisht anija "Iliden" që ata udhëtonin është fundosur në ujërat e liqenit.
Ministri i shëndetësisë së Maqedonisë, Bujar Osmani, ka thënë për gazetarët se 53 persona të tjerë që kanë qenë në anije ndodhen në spitalin e Ohrit dhe në orët e pasdites personat që janë në gjëndje të mirë do të transportohen me avion për në Sofje. Policia është duke kryer identifikimin e personave që kanë udhëtuar. Kryesisht kanë qenë njerëz të moshuar.
Menjëherë ka dhënë dorëheqje ministri i Transporteve të Maqedonisë ndërkohë që presidenti Maqedonas Ivanov dhe kryeministri Gruevski kanë shkuar në Ohër dhe po e ndjekin nga afër tragjedinë. Rreth orës 16 ka filluar të dëshmojë në policinë e Ohrit kapiteni i anijes "Ilinden". Ai ka dhënë detaje rreth tragjedisë por ende nuk është bërë asgjë publike.
Qeveria e Maqedonisë dhe ajo e bullgare kanë shpallur ditën e sotme ditë zie. Ndërkohë që në orën 20 të mbrëmjes është zhvilluar një mbledhje e jashtëzakonshme e qeverisë maqedonase.
Sipas burimeve të para hetimore të policisë maqedonase, shkak i aksidentit ku humbën jetën 17 persona dhe pesë të tjerë janë zhdukur ka qenë mbingarkesa e madhe dhe gjendja e anijes e cila ishte shumë e vjetër dhe disa herë e riparuar. Grupi hetimor ende nuk ka dalë me një deklaratë zyrtare por këto janë të dhënat paraprake.
Ditë zie në Maqedoni e Bullgari
Qeveria e Maqedonisë shpalli ditën e sotme ditë zie kombëtare për nder të viktimave të tragjedisë, ndërkohë që kabineti qeveritar dhe presidenti Gjorgje Ivanov kanë shprehur keqardhje për këtë ngjarje të rëndë. Dite zie kombëtare pritet të mbahet sot edhe në Bullgari. Ndërkaq mësohet se për shkak të tragjedisë, ministri i Transportit Janakievski ka dhënë dorëheqje, për arsye morale.
Konsulli: Në anijen e mbytur s'kishte shqiptarë
Konsulli shqiptar në Maqedoni, Alfred Hoxha, deklaroi ditën e djeshme se në anijen e mbytur në liqenin e Ohrit nuk kishte asnjë turist shqiptar. Ai kishte kontaktuar me autoritetet maqedonase në lidhje me ngjarjen për të ofruar ndihmë nga ana tjetër e liqenit. Sipas tij, shkak i aksidentit mund të ketë ndodhur për shkak të mbingarkesës. "Janë dy variante. Thuhet se kanë qenë 46 turistë, nga 43 që ishte kapaciteti që duhej të mbante anija "Ilinden", ndërsa varianti i dytë është se në anije mund të kenë qenë 70 turistë",- deklaroi Hoxha.
Trupat
Rreth orës 13.00 të ditës së djeshme palombarët kanë nxjerrë nga liqeni trupat e 17 personave të vdekur. Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme bullgare tha se informacioni zyrtar mbi tragjedinë do të jepen gjatë orëve të vona. Ndërsa autoritetet druhen se numri i viktimave mund të rritet. Po punohet për gjetjen e 5 personave të cilët rezultojnë ende të zhdukur.
Qeveria
Qeveria bullgare ka dërguar dy aeroplanë drejt aeroportit të Ohrit për të bërë të mundur transportimin e turistëve të mbijetuar. Në Ohër kanë shkuar presidenti Gjorge Ivanov, kryeministri Nikolla Gruevski, ministri i Shëndetësisë, Bujar Osmani, ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski. Në Ohër janë edhe përfaqësues të Ambasadës së Bullgarisë në Shkup.