E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritan Prifti: Do të rishikoj kontratën e shitjes së OSSH

I vendosur për të drejtuar Ministrinë e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës, deputeti i LSI, Dritan Prifti, gjatë një interviste për agjencinë e lajmeve NOA, tregon se ka disa teza të ndryshme nga ato të qeverisë Berisha të 4 viteve të shkuara.

Priftit i mbetet qëndrimit kritik të deklaruar publikisht se OSSH u shit me një çmim të lirë, por duke folur tashmë në pozicionin e njeriut që pret të drejtojë Ministrinë e Energjitikës, Dritan Prifti premton të rishikojë kontratën e shitjes, me synim përmirësimin, por jo anulimin e saj.

"Është e vërtetë që kam qenë kritik ndaj këtij privatizimi, pasi është shitur realisht lirë, por në kushtet e sotme, kur unë të filloj punën, do të rishikoj këtë kontratë, nëse ka vend për përmirësime dypalëshe. Në ditët e sotme, ne duhet t'i japim biznesit optimizëm dhe jo shembuj negativë, ndaj nuk mund të flasim për anulime kontrate", - u shpreh Prifti.

Ndërsa për sistemin energjitik, Prifti tha se qeveria ka dështuar me kontratat koncesionare. Sipas tij janë dhënë mbi 100 leje për ndërtimin e hidrocentraleve, por vetëm 2-3 prej tyre kanë nisur punën.

"Unë do të monitoroj rreptësisht këto leje dhe do të vendos afate konkrete për fillimin e investimit të tyre".

Pavarësisht se qeveria Berisha ka nisur të konkretizojë nismën ligjore për ndërtimin e një centrali bërthamor në vend, kandidati për ministër e vlerëson këtë nismë si të parakohshme.

Sipas Priftit, centrali nuk është një zgjidhje afatshkurtër, ndaj nuk mund të jetë pjesë e prioriteteve tona.

"Nuk jam kundër kësaj ideje, - tha Prifti, - por realizimi i këtij projekti do të kërkojë minimalisht 10 vjet kohë".

Lidhur me debatin e ekspertëve të ekonomisë për prezencën e Fondit Monetarë Ndërkombëtar, Prifti u shpreh se ky institucion i duhet ekonomisë shqiptare.

Në një kohë që qeveria Berisha i ka thënë lamtumirë këtij institucioni, kandidati për ministër shprehet se FMN duhet për të certifikuar treguesit ekonomikë, ndaj duhet të jetë partneri i qeverisë.

Pas dekretimit nga presidenti, e votëbesimit në parlament, ditët e para të punës për ministrin e ri do të jenë konsultime të vazhdueshme me komunitetin e biznesit. Rritja ekonomike, sipas tij, nuk duhet mbështetur te fondet e buxhetit të shtetit, por te biznesi. "Projekti ynë i përbashkët me qeverinë Berisha është që të kthejmë ekonominë nga konsumuese në prodhuese. Kjo situatë do të realizohet vetëm duke e konsideruar partner sipërmarrjen private dhe duke i ofruar atyre lehtësirat e nevojshme", - përfundon Prifti.


********


Prifti: Privatizimi i OSSH është një aferë skandaloze e korruptive e qeverisë


10 mars 2009


Lëvizja Socialiste për Integrim ka kundërshtuar privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), që sipas kësaj force politike ka dy probleme të mëdha. Sipas deputetit të LSI, Dritan Prifti, OSSH po shitet me një vlerë minimale. Problemi i dytë, sipas LSI, ka të bëjë me vendimin e qeverisë për t'i hequr një pjesë të borxheve OSSH, për t'ia kaluar KESH, do të thotë që kanë ndryshuar kushtet e tenderit, do të thotë që kjo kompani është favorizuar, duke diskriminuar kompanitë e tjera.

"Ky çmim real duket që është rreth 70 milionë euro për një ndërmarrje që ka një vlerë tregu, të paktën 1 miliard euro. Pra, shikojeni vetë se çfarë çmimi qesharak është dhënë për këtë ndërmarrje, që është kapital i gjithë shqiptarëve, ku të gjithë me vite me radhë kanë kontribuar. Pra, vlera me të cilën po shitet është skandaloze, shumë e ulët, dhe e dyta ka pasur shkelje flagrante ligjore në procesin e privatizimit", - theksoi Prifti.

Deputeti i LSI tha se kjo forcë politike është kundër këtij privatizimi. "Menjëherë pas zgjedhjeve, me ardhjen tonë në qeveri, ky do të jetë një nga privatizimet që do të rishikohet menjëherë prej nesh, sepse është një privatizim skandaloz, në të gjitha aspektet. Edhe në aspektin e vlerës, që shitet të paktën 7-8 për qind të vlerës reale të tregut të kësaj kompanie dhe në aspektin e shkeljes së ligjeve të prokurimeve dhe tenderëve në Shqipërisë".

Prifti theksoi se ndryshimi i kushteve të tenderit është totalisht i papranueshëm për ligjet e shtetit shqiptar.

"Kjo bëhet tani, nuk besoj se bëhet për interesa të tjera, përveçse për interesa të jashtëligjshme, për interesa korruptive, për interesa abuzive 3 muaj para zgjedhjeve", - u shpreh Prifti. I pyetur nga gazetarët se duken normale investimet e kryera gjatë kohëve të fundit në OSSH, kur ndërmarrja ishte në prag të privatizimit, Prifti u shpreh se nuk është aspak normale, sepse vazhdimi i investimeve do të thotë që ti i rrit asetet asaj kompanie, të cilën e ke në proces privatizimi. Sipas tij, kjo është t'u japësh pará atyre që po e blejnë, të vazhdosh të japësh pará nga paratë e taksapaguesve shqiptare dhe nuk është aspak normale vazhdimi i investimeve, ashtu siç ka vazhduar atje. Sipas Priftit, njerëzit që e drejtojnë atë ndërmarrje "do të vazhdojnë të bëjnë tenderë, do të vazhdojnë të vjedhin, do të vazhdojnë të abuzojnë dhe ne të vetmen mënyrë për t'i ndaluar kemi 28 qershorin, duke i larguar nga pushteti dhe duke i hetuar këta abuzime".

Kur lëshon limonada elektorale

Privatizimi i Albtelekomit gjatë qeverisjes së Fatos Nanos u kundërshtua mjaft ashpër nga drejtuesi i opozitës së asaj kohe, Sali Berisha. Me bujë e me shumë zhurmë ai premtoi se ajo aferë korruptive dhe padrejtësi ndaj një pasurie të shqiptarëve do të vihej në vend, sapo të vinte në pushtet. Në fakt asgjë nuk ndodhi. Pati për shumë muaj me radhë bisedime për gjoja përmirësim të kontratës, e sërish Albtelekomi shkoi atje ku kishte për të shkuar, ashtu siç ishte planifikuar.

E njëjta gjë është e qartë se do të ndodhë dhe me kontratën e shitjes së OSSH. Ministri i ri i Ekonomisë vetëm bën zhurmën e rastit, pasi gjithçka është e mbyllur. Më e shumta që mund të bëjë është që të bëjë shantazh për të marrë ndonjë copë, por kontratës nuk do i bëjë asgjë.

Ky qëndrim i Priftit është një rast i mirë për të parë se si shpërfytyrohen politikanët tanë, kur përballen me qeverisjen. Kryeministri, Sali Berisha, deklaronte pak përpara marrjes së pushtetit se, kontrabandën e naftës e bënte Rezart Taçi, tani thotë që ka thënë Caci dhe Taçit i ka dhënë monopolin e naftës. Para se të vinte në pushtet, shfrynte me sa mundej se gjithë nëntoka e korrupsionit lëvizet nga Lefter Koka, tani do ta ketë në gjirin e tij politik. Para këtyre zgjedhjeve bënte be e rrufe se nuk do bashkohej me LSI, tani na thotë se ato çka ka deklaruar kanë qenë limonada elektorale.

Ndaj dhe Prifti, kur thotë se do shohë kontratën, por nuk do e anulojë atë, nuk thotë ndonjë gjë ndryshe nga sa ka thënë Berisha. Të paktën të tregohet i sinqertë e të thotë që kam thënë limonada, sepse cipa i ka plasur.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›