E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia e Butrintit, procesi drejt fundit

Pas më shumë se një vit seancash gjyqësore, procesit më të bujshëm gjyqësor "Tragjedia e Butrintit" duket se po i vjen fundi. Dënimi për katër të pandehurit e dosjes pritet të jepet pas pak seancash.
Në seancën e së mërkurës trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja, Enkeleda Doda, ka vendosur administrimin e të gjitha procesverbaleve të seancave të mëparshme në fashikullin e Gjykatës Sarandë, duke i hapur kështu rrugë dhënies së konkluzioneve përfundimtare nga ana e prokurorit, avokatëve si dhe më pas shpalljen ose jo fajtorë dhe dënimin e katër të pandehurve.
30 minuta para fillimit të seancës së të mërkurës, në një proces tjetër, gjyqtari Elidon Papazisi, nuk pranoi kërkesën e avokatit të Brahim Madhit, njerit prej të pandehurve, për përjashtimin e trupit gjykues. Kjo i ka hapur rrugë vijimit normal të procesit nën treshen gjykuese, Doda, Aliaj, Barjami.
Në seancën e rradhës më 21 korrik, prokurori i akuzës, do të japë konkluzionet përfundimtare për të pandehurit, Brahim Madhi, Albert Gega, Dashamir Mane e Hyqmet Sollaku, të akuzuar për veprën penale, "dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit me qëllim përfitimi në bashkëpunim, me pasojë vdekje". Më 19 tetor 2008, tentativa e 27 shtetasve për të kaluar liqenin e Butrintit e më pas ilegalisht kufirin e gjelbër shqiptaro-grek, përfundoi me mbytjen në liqen të shtetasve Elvira Jaho dhe foshnjes së saj tre muajshe Klara Jaho nga Berati, Ndriçim Myftarit nga Lushnja, Amarildo Kukës e Festim Hoxhës nga Fieri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›