E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Tragjedia në Greqi, Mitsotakis: Përgjegjësit për aksidentin do përgjigjen para drejtësisë

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis tha se përgjegjësit e tragjedisë së përplasjes së dy trenave do të përgjigjen para drejtësisë. Në një dalje për mediet, pasi vizitoi zonën ku ndodhi aksidenti tragjik, Mitsotakis tha se familjarët e viktimave kërkojnë përgjigjen se pse ndodhi kjo, ndërsa shtoi se aksidenti ishte “kryesisht gabim njerëzor”.

 “Sapo jam kthyer nga skena e një tragjedie që do të mbetet përgjithmonë në kujtesën tonë kolektive. Aty humbën jetën dhjetëra bashkëqytetarë tanë, shumica fëmijë të vegjël, në një aksident të tmerrshëm treni të paprecedentë në vendin tonë.

Falenderoj nga zemra gratë dhe burrat e aparatit shtetëror që u mobilizuan që në momentin e parë. Zjarrfikësit dhe shpëtimtarët, oficerët e EKAV-it, Policisë, Pushtetit Vendor, si dhe mjekët dhe punonjësit e shëndetësisë dhe psikologët në spitalet tona. Ata bënë dhe po bëjnë më të mirën në kushte jashtëzakonisht të pafavorshme.

Kam takuar familjarët e viktimave dhe të zhdukurve në spitalin e Larisës. Në dhimbjen e tyre të patregueshme, me një tepricë dinjiteti, më pyetën “pse”. Dhe ata më thanë “kurrë më”. Ne u detyrohemi atyre një përgjigje të sinqertë”, tha Mitsotakis.

Kryeministri foli edhe për dorëheqjen e ministrit të Transportit, ku tha se mbajti përgjegjësi politike. Për hetimin e plotë të shkaqeve të ngjarjes, Mitsotakis u shpreh se do të ndrihet një Komiteti Ekspertësh të pavarur dhe ndërpartiak.

“Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Kostas Karamanlis, duke marrë përgjegjësinë politike, ka paraqitur menjëherë dorëheqjen. Po ashtu edhe krerët e OSE-së dhe ERGOSE-s. Qëndrimi i tij e nderon, pasi gjithçka tregon se drama i detyrohet, fatkeqësisht, kryesisht gabimit tragjik njerëzor. Ministër kalimtar, deri në zgjedhjet kombëtare, emërohet Ministri i Shtetit, Giorgos Gerapetritis, nga i cili tashmë kam kërkuar që të procedohet me shpejtësi me ngritjen e një Komiteti Ekspertësh të pavarur dhe ndërpartiak, i cili do të shqyrtojë plotësisht shkaqet e aksidentit.

Në të njëjtën kohë, Drejtësia do të bëjë punën e saj. Do të caktohen përgjegjësit. Ndërsa shteti do të qëndrojë pranë familjeve të viktimave. Ne do të vajtojmë fëmijët tanë, vëllezërit e motrat, miqtë tanë. Ne do të mbetemi të bashkuar edhe në këtë tragjedi. Dhe, atëherë, ne do të përkulim kokën dhe do të shtrëngojmë dhëmbët. Do të punojmë që kjo “kurrë më” që kam dëgjuar në Larisa të mos mbetet fjalë boshe”, tha Mitsotakis.

Një tragjedi e rëndë u shënua në orën 23.21 të 28 shkurtit në Greqi, ku dy trena janë përplasur kokë më kokë e për pasojë 43 persona kanë humbur jetën dhe 85 të tjerë kanë mbetur të plagosur.  

Lexo edhe: Përplasen dy trena në Greqi, 43 të vdekur, 85 të plagosur! Arrestohet kreu i stacionit në Larisa, jep dorëheqjen ministri i Transportit

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›