E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia në Plakë të Athinës, 6 viktima nga shpërthimi, mes tyre 3 shqiptarë

Ka përfunduar në mënyrë tragjike operacioni i kërkim-shpëtimit në Plakë të Athinës, pas shembjes së një ndërtese trekatëshe si pasojë e një shpërthim të fuqishëm. Ekipet e shpëtimit kanë gjetur edhe dy trupat e fundit, duke e çuar në gjashtë numrin e viktimave.

Trupi i parë, i një gruaje, u nxor rreth orës 02:00 të mëngjesit. Më pas, gjatë paradites, ekipet gjetën trupin e një burri. Rreth orës 13:00 u lokalizuan edhe dy viktima të tjera, ndërsa rreth një orë më vonë u gjetën dy trupat e fundit. Fillimisht pati informacion vetëm për numrin e viktimave, më pas mediat greke zbuluan dhe identitetin e tyre. Nga shpërthimi i fuqishëm humbën jetën 6 persona, mes tyre tre shtetas shqiptarë. Viktimat janë identifikuar si Florinda Hoxha dhe bashkëshorti i saj Ian Alexander Kirkpatrick, Eris Cani dhe bashkëshorti i saj Florin Hoxha, si dhe çifti i moshuar Athena Paparescu dhe Edmond Hings, të cilët banonin në katin e dytë të ndërtesës.

Sipas të dhënave paraprake të autoriteteve, shpërthimi dyshohet se mund të jetë shkaktuar nga një rrjedhje e gazit natyror, por shkaku i saktë i tragjedisë ende nuk është përcaktuar dhe mbetet objekt hetimi.

Shpërthimi ndodhi pak pas orës 07:30 të mëngjesit të së premtes, duke shkaktuar shembjen e ndërtesës dhe dëmtime të konsiderueshme në pronat përreth dhe automjetet e parkuara.

Në këtë fazë, autoritetet po shqyrtojnë skenarë të ndryshëm lidhur me origjinën e shpërthimit. Një prej hipotezave të hetimit është rrjedhja e gazit natyror dhe grumbullimi i tij në ambientet e ndërtesës përpara ndezjes.

Ekspertët pritet të kryejnë një ekzaminim të detajuar të rrënojave dhe instalimeve të ndërtesës për të përcaktuar burimin e gazit, mënyrën e ndezjes dhe rrethanat që çuan në shembjen e objektit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›