E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjeditë nga gazi, bombulat vazhdojnë të shiten në kioska

Tiranë- Tregtimi në kushte jo të përshtatshme i bombulave të gazit dhe amortizimi i tyre janë edhe shkaqet kryesorë të shpërthimit të zjarreve. Vetëm pak ditë më parë në në rrugën “Hoxha Tasim” në Tirane , zjarri përfshiu një apartament dhe si pasojë e tij vdiqën tre pjestarët e familjes ndërsa një tjetër ngeli i plagosur. Policia bëri të ditur se shkaku ishte shpërthimi i bombulës së gazit, nga amortizimi i tepërt.

Ndërkohë nëpër rrugët e Tiranës tregtohen bombula në kushte tejet të këqia, dhe madje brenda zonave të banuara, ku një shpërthim mund të kushtojë jetën e shumë personave. Gjithashtu pothuajse në të gjitha dyqanet mungon sistemi i fikjes së zjarrit.

Ne pak kohë më parë kemi trajtuar problemin e ndërtimit të karburanteve në zonat e banuara, dhe aty zjarrfiksi Sadik Logu është shprehur se një fenomen shqetësues përveç karburanteve është dhe tregëtimi i bombulave të gazit.

Është tepër e rrezikshme sepse jo vetëm në Tiranë por edhe në qytete të tjera tregëtohet gazi në zona tepër të populluara. Ndërkohë ai duhet të tregëtohet vetëm në disa pika të caktuara jashtë qytetit. Këto pika tregëtimi duhet të kenë sistemin e shkumbës, alarmit, si dhe puntorët duhet të jenë trajnuar për raste zjarri, – është shprehur zjarrfikësi Logu.

Gjatë bisedës me një tregëtar gazi në rrugën Pjetër Budi, ai shprehet se është e rrezikshme tregtimi i bombulave të gazit në rast zjarri, por vështirësitë ekonomike e detyrojnë ta kryejë këtë punë.

Po është e rrezikshme, se me një shkëndijë këtu bëhet nami. S’kam çfarë të bëj edhe unë dua të mbaj familjen dhe për dy lek dal këtu, se nuk ka punë me çfarë të merrem- shprehet ai.

Ndërsa për sistemin kundër zjarrit ai shprehet se mungon dhe kushton të pajisesh me të.

Nuk kam sistem kundër zjarrit, sepse kushtojnë dhe rrojmë me shpresën që nuk do ketë shpërthime që fikset e zjarrit të na hynë në punë, – vazhdoi ai.

Por edhe për banorët është një fenomen shqetësues gatimi dhe prezenca e bombulave të gazit në poshtë pallatit. Një prej tyre shprehet se gjendja ekonomike i detyron të gatuajnë me gaz, por frika është gjithmonë e pranishme.

Me gaz gatuajmë. Kjo sepse energjia elektrike kushton shtrenjë dhe skemi çfarë të bëjmë, pastaj jemi dhe pensionista. Sa herë që e përdorim me frikë rrimë sepse kemi dëgjuar gjithë ato raste në televizion që kanë shpërthyer bombulat e gazit, dhe kanë vdekur shumë persona, – është shprehur një e moshuar.

Ndërsa një banor tjetër është i shqetësuar për tregtimin e tyre sidomos poshtë pallateve. Ai thotë se është tepër e rrezikshme, sepse kur shkon e ndërron bombulën ajo mund të jetë e amortizuar sepse është përdorur nga shumë persona, dhe kjo sipas tij mund të shkaktojë dhe shpërthimin.

Përveç kushteve jo të favorshme, ka dhe nga ata që tregtojnë para shtëpive të tyre private duke marrë përsipër rrisqe të mëdha. Gjithashtu ka raste kur tregtimi bëhet ngjitur me pikat e karburantit, dhe në rast shpërthimi do të shkaktohej një tragjedi e madhe.

Sipas zjarrfikësve mënyra më e mirë për t’i shmangur këto rreziqe është  që të gjitha subjektet të detyrohen me ligj të përdorin sistemin e fikjes së zjarrit, dhe gjithashtu duhet të funksionojnë ligjet, që këto biznese të ndërtohen jashtë zonave të banuara.

Kliti Topalli/IDEA

Shkrime të tjera me interes:

  1. Elbasan, vazhdojnë punimet për restaurimin e teatrit Skampa
  2. Bulqizë, shpërthen gazi në minierë, 1 i vdekur 8 të plagosur
  3. Me vdekjen tek koka! Gërdecët janë gati, mjafton një shkëndijë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›