E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha në jurinë e Cottbus Film Festival

Vjosa Berisha, drejtoreshë e Festivalit Ndërkombëtar të Prishtinës PriFest, i cili në shtator të këtij viti mbylli me edicionin e 4-të të tij, do të jetë këtë vit anëtare e jurisë kryesore ndërkombëtare të FilmFestival Cottbus, i cili do të mbahet nga data 6 deri më 11 nëntor, në Cottbus të Gjermanisë.

Cottbus FilmFestival, që këtë vit shënon edicionin e tij të 12-të, paraqet një vështrim të përgjithshëm të prodhimeve filmike të të gjithë rajonit të Evropës Qendrore dhe Lindore, duke u shndërruar në një nga festivalet kryesore të kinemasë së Evropës Lindore, dhe i dyti për nga rëndësia në Gjermani, pas atij të Berlinale.

Sipas revistës së njohur të kinematografisë ‘Variety’, “Cottbus është një event botëror që duhet vizituar medoemos”.

“Është nder të jesh anëtare e jurisë në një festival prestigjioz si Cottbus dhe vlerësim i jashtëzakonshëm për PriFest, që vetëm për 4 vjet ekzistence arriti të krijojë një emër të respektuar ndërkombëtarisht. Kjo është një dëshmi e mbështetjes dhe vlerësimit që festivale të mëdha evropiane i japin PriFest, duke forcuar synimin e patjetërsueshëm të vazhdimësisë të PriFest si një shembull suksesi dhe mundësi e lidhjes së kinematografisë kosovare me botën”, u shpreh, më këtë rast, Berisha.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›