E Diel, 1 Nëntor 2026

BlackBerry, ose mania për telefonin më të sigurtë në botë

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 12-08-2011 12:38

Pse BlackBerry? Në një botë gjithnjë e më shumë të survejuar, shërbimi që ofron kjo markë telefoni është i vetmi i papërgjueshëm. Bëhet fjalë për chat-in e tij, ose siç njihet ndryshe BlackBerry Messenger (BBM). Është pikërisht kjo arsyeja që gjithë e më shumë personazhe të njohur, por dhe njerëz të thjeshtë mbajnë në duart e tyre një aparat të tillë celular. Ky lloj aparati gjeti përhapje të menjëhershme në të gjithë Europën, pas “reklamës” që iu bë nga Presidenti i ShBA-ve, Barac Obama. Ky i fundit shkeli të gjitha rregullat e Shtëpisë së Bardhë, duke mos hequr dorë nga telefoni i tij. Por natyrisht, telefoni i tij është një ndër më të sigurtët në planet. Mania Blackberry është futur në Shqipëri prej pak vitesh, por menjëherë ka gjetur një përhapje të shpejtë. Sipas të dhënave jo zyrtare, mësohet se numri i abonentëve që përdorin këtë shërbim në vendin tonë i kalon 12 mijë, shifër kjo e cila konsiderohet e kënaqshme duke marrë parasysh që ky shërbim ofrohet vetëm prej 2 vitesh në vendin tonë. Personi i parë VIP që ka dalë reklamuar telefonin e tij BlackBerry ka qenë kryeministri i vendit, Sali Berisha dhe më pas një numër i madh politikanësh kanë ndjekur gjurmët e tij. Lista e politikanëve shqiptarë që kanë në përdorim një telefon të tillë, sa vjen e shtohet. Sipas specialistëve, përhapja e shpejtë e këtij telefoni gjen shpjegimin e vetëm në shërbimet që ofron ky telefon dhe kryesisht BBM. Pothuajse pjesën më të madhe të kohës, përdoruesit e këtyre telefonave e kalojnë duke shkëmbyer mesazhe, të cilat janë të paintereceptueshme nga asgjë paisje. Shpeshherë, bisedat e tyre mund të kenë karakter personal, e megjithatë nuk kanë munguar rastet kur ky shërbim është përdorur për punë që bien ndesh me ligjin. Edhe pse shtete të shumta kanë kërkuar nga kompania BlackBerry marrjen e të dhënave, kjo e fundit ka rezistruar deri tani, duke e refuzuar një kërkesë të tillë.

Trazirat, Anglia i kërkon

kompanisë të mbyllë chat-in

Trazirat e fundit në Angli kanë detyruar autoritetet e këtij vendi të kërkojnë ndihmën e kompanisë BlackBerry për të bllokuar këtë shërbim në vendin e tyre. Kjo kërkesë ka ardhur pas trazirave të përgjakshme, të ndodhur në këtë shtet, ku dyshimet kryesore të autoriteteve janë përqendruar në shërbimin e chat-tit, i cili ka shërbyer si mjet komunikimi mes të rinjeve protestues. Me anë të këtij shërbimi, ata arrinin të organizoheshin për të zhvilluar protestat. BBC bën të ditur se 80% e të rinjve londinez kanë në përdorim një BlackBerry. Por kërkesa e autoriteteve britanike ka hasur në reagimin e ashpër të një grupi hackera-sh, të cilët kanë sulmuar faqen zyrtare të kësaj kompanie, duke i kërkuar kësaj të fundit që mos të ndërpresë këtë shërbim, pasi në të kundërt ajo do të ishte objekt i vazhdueshëm i sulmeve kibernetike.

Trafik me BlackBerry Shqipëri-SHBA

Arrestimi i një grupi shqiptar që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike në ShBA vuri dhe një herë në dukje problemet që sjell BlackBerry Messenger. Në bazë të hetimeve të kryera në drejtësia amerikanë është provuar se Arif Kurti, një prej drejtuesve të këtij grupi, i cili po vuan dënimin në burgjet shqiptare, pasi u shpall fajtor për kryerjen e veprës penale të trafikut të narkotikëve, drejtonte prej 5 vitesh nga qelia gjithë rrjetin e trafikut me anë të një BlackBerry duke i dhënë urdhra dhe udhëzime bashkëpunëtorëve të tij, të cilët ishin në ShBA.

Vendet Arabe, jo BlackBerry-t

Rreth 1 vit më parë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite kërkuan bllokimin e shërbimeve të BlackBerry-t, pasi ky shërbim përbënte cënim për sigurinë kombëtare. Sipas drejtuesve të këtyre vendeve mësohet se: “Të dhënat e koduara të BlackBerry dërgohen jashtë shtetit dhe masa është e motivuar pjesërisht nga frika e qeverisë, që sistemi i mesazheve mund të shfrytëzohet nga terroristët apo kriminelë të tjerë, të cilët nuk mund të monitorohet nga autoritetet lokale”

BlackBerry në Shqipëri

Shërbimi BlackBerry në Shqipëri është vënë në përdorim për herë të parë në vitin 2009 dhe prej asaj kohe ka gjetur një shtrirje të madhe. Këtë shërbim e ofrojnë vetëm dy kompanintë telefonike në vend, Vodafone dhe AMC. Sipas të dhënave jo zyrtare mësohet se numri i përdoruesve të këtij shërbimi në vendin tonë i kalon të 12 mijë klientët, të cilët prej mëse dy vitesh sëhkëmbëjnë mesazhe mes tyre.

PIN

Çdo telefon BlackBerry është i paisur me një numër personal PIN, i cili është unik tek çdo telefon. Me anë të këtij numri kryhet dhe lidhja e dy telefonave BlackBerry të cilët më pas mund të komunikojnë nga çdo vend i botës me anë të shërbimit BlackBerry Messenger por edhe mund të shkëmbejnë e-mail-e me anë të këtij shërbimi, të cilat gjithashtu janë të pa interceptueshme.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›