Skaneri i kuqezinjve. Shenja pozitive të kandidatëve për formacionin titullar
Trajneri kroat ka nxjerrë në fushë formacionin e zakonshëm, me skemën 4-4-2, duke i besuar Muzakës një fanellë titullari në vend të Bakajt apo Hykës. Ishte thjesht një miqësore dhe nuk mund të paragjykohet për këtë zgjedhje, pasi, në fund të fundit, vetëm njëri do të luante që nga fillimi. Meritat trajneri i kuqezinjve i merr në pjesën e dytë, kur arrin ta orientojë saktë ekipin në momentin që kundërshtari udhëhiqte 1-2. Për tu veçuar është lëvizja e tij me Telin, që solli spostimin e Currit në mesfushë dhe më pas u duk qartë ndryshimi i lojës nga ana ekipi tonë. Po ashtu, trajneri është treguar racional, duke u dhënë minuta të gjithë lojtarëve dhe duke mbajtur stabël vetëm mbrojtjen, që normalisht do të jetë më e rëndësishmja në ndeshjen e ardhshme eliminatore me Francën.
Samir Ujkani - 5
Disa momente pasigurie të portierit titullar të kombëtares kuqezi, nga i cili pritet një nivel më i lartë për vetë faktin se luan në Itali. Një gafë e tij në rastin e golit të barazimit të Malit të Zi, kur ishte jashtë kohe. Ka nevojë për më shumë besim.
Kristi Vangjeli - 6.5
Një ndeshje e mirë për futbollistin korçar, që luajti 90 minuta, ashtu si e gjithë mbrojtja. Tepër aktiv thuajse gjatë gjithë kohës, duke mbrojtur fort në krahun e majtë dhe njëkohësiht duke shtyrë përpara së herë që i jepej mundësia për ta bërë këtë.
Debatik Curri - 6.5
Kosovari po vjen gradualisht në formën e tij më të mirë. Kuptohet që mbrojtësi i qendrës nuk është pozicioni i tij natyral. Një gabim në mbulim në golin e dytë të kundërshtarit. Me daljen në mesfushë i ka dhënë frymëmarrje lojës së ekipit tonë.
Lorik Cana - 7
Është ai futbollisti me personalitet të padiskutueshëm në fushë dhe që i jep gjithmonë zemër ekipit, sidomos me ndonjë dalje të tij përpara, kur elektrizon edhe tifozërinë kuqezi. Si gjithmonë, i fortë dhe agresiv në çdo dyluftim me kundërshtarin. Frymëzues.
Armend Dallku – 6
Ndoshta ka të drejtë të jetë pak i lodhur, për shkak të angazhimit të dyfishtë me ekipin e tij në Ukrainë. Mundohet për ta ndihmuar manovrën sulmuese të ekipit tonë në krahun e djathtë, por shpesh nuk ka saktësi në krosimin e topave në zonë.
Altin Lala - 6
Është e qartë se po vjen fundi i karrierës së kapiteni kuqezi,që gjithsesi përpiqet me të gjitha enregjitë e tij. Nuk mund të bëjë volumin e lojës si vitet e mëparshme, sepse koha bën të vetën dhe tashmë trajneri Kuzhe duhet të zgjedhë zëvendësuesin e tij.
Ervin Bulku - 6.5
I rëndësishëm në mesfushë, pasi është ai shërben si barrikadë për kundërshtarin. I fuqishëm në dyluftime dhe një nga ata që vrapojnë më shumë në fushë. Edhe me goditjet nga distanca shfaqet herë pas here rrezikshëm në portën kundërshtare.
Gjergji Muazaka - 6
Trajneri Josip Kuzhe i ka besuar krahun e djathtë të mesfushës dhe lojtari i Skënderbeut është përpjekur tia shpërblejë. Disa përpjekje të tij për të krosuar në zonë, por pa ndonjë rezultat konkret. Mbetet një alternativë e mirë për mesfushën kuqezi.
Ansi Agolli - 6
Jo në formën që jemi mësuar ta shohim shpesh mëngjarashin, me daljet e tij të rrezikshme në krah dhe me krosimet e befasishme. Ka provuar të shënojë me një veprim të bukur teknik, por pa gjetur kuadratin. Pritet më shumë prej tij në eliminatore.
Erion Bogdani - 7
Minutat e para janë gjithmonë për të. Sulmuesi shtatlartë e tërheq mirë ekipin përpara, duke mbajtur dy mbrojtës kundërshtarë me vete, por nuk mund të ruajë të njëjtin ritëm. Arrin të shënojë, edhe pse me fat. Kombëtarja ka nevojë për të në fushë.
Hamdi Salihi – 7.5
Mund të rrijë në hije për shumë minuta, aq sa krijohet edhe ideja se nuk është në fushë, por befas ai shfaqet si një lojtar klasi. Një tjetër perlë e tij ngre peshë stadiumin Loro Boriçi dhe i jep fitoren kombëtares kuqezi. I domosdoshëm.
Jahmir Hyka – 7
Futbollisti i Lucernës gëzon një formë të shkëlqyer. Me futjen e tij në fushë sulmi bëhet më i rrezikshëm dhe ai gol mjaft i bukur duhet ta bëjë të mendohet trajnerin Kuzhe se ai meriton më shumë hapësirë, pse jo dhe formacionin në këtë moment.
Elis Bakaj - 6
Pret shansin e tij për të shpërthyer edhe në kombëtare, por në fakt, kur hyn në fushë, nuk arrin të shprehet si duhet. Aftësitë e tij teknike mund ti shërbejnë më shumë kombëtares dhe ndoshta Bakaj ka nevojë thjesht për më shumë besim në vetvete.
Admir Teli - 6.5
Aktivizimi i tij në mbrojtje dhe dalja përpara e Currit ndryshoi shumë gjëra në lojën e kuqezinjve, kështu që trajneri Kuzhe mund të marrë në konsideratë këtë fakt. Në fund të fundit, në pozicionin e tij mund të bëjë më shumë se një i natyralizuar.
Edmond Kapllani - 6
Për gati 30 minuta ka qenë në fushë dhe në një rast është shfaqur rrezikshëm me një gjuajtje potente qendrore, që është pritur nga portieri kundërshtar. Mosaktivizimi me ekipin e tij në Gjermani natyrisht që ndikon në formën e tij aktuale.
Klodian Duro - 6
Trajneri Kuzhe e hedh në fushë, kur ekipi ynë ka nevojë për lojtarë që e përdorin mirë topin dhe dinë ta organizojnë lojën. Falë përvojës së tij të gjatë ingranohet menjëherë me lojën e ekipit.
Andi Lila – 6.5
Vetëm 15 minuta për futbollistin kavajas, që është aktivizuar në mesfushë dhe është munduar të bëjë punën e tij në mbrojtje të rezultatit. Një vlerësim më i saktë mund të jepet kur ai të luajë më shumë.
