E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia mund Kastriotin dhe mbyll "gojët e liga"

Vllaznia merr fitoren e shumëpritur, kur ishin vënë në shënjestër jo vetëm lojtarët ndaj masave drastike, jo vetëm futbollistët, por edhe stafi teknik (sipas burimeve pranë klubit). Kuqeblutë mundin Kastriotin 1-0, në një ndeshje shumë luftarake, ku nuk munguan ndërhyrjet e ashpra. Megjithatë, është dashur një goditje dënimi e mbrojtësit lezhjan, Dritan Smajli, në minutën e 37-të, e dërguar në zonën e rreptësisë krutane, ku sulen e futen në dyluftim disa lojtarë, por s‘e prek askush, duke mashtruar në këtë mënyrë portierin Musatafa të Kastriotit. Kësisoj, topi parakalon tërë zonën krutane dhe përfundon në rrjetë. Minuta e 37-të e takimit Vllaznia-Kastrioti ka qenë e artë për shkodranët, të cilët kanë shënuar golin e vetëm të kësaj ndeshjeje, duke marrë tri pikë e shumë vlera. Kështu, në javën e 14-të të Kategorisë Superiore, skuadra shkodrane është rikthyer te fitorja, duke hedhur edhe një hap tjetër drejt largimit nga fundi i tabelës së klasifikimit. Nisur nga specifika e këtij takimi, normalisht që në radhët e Vllaznisë përpara ndeshjes kishte edhe një farë tensioni dhe presioni, që vinte nga domosdoshmëria për ta fituar këtë ndeshje. Mungesat e shumta, duke nisur nga Doçi, i skualifikuar me karton të kuq, Osja dhe Ardit Beqiri të dëmtuar, si dhe ndonjë zgjedhjeje në momentet e fundit të formacionit bazë, kishte sjellë shumë lëvizje në radhët e Vllaznisë, duke sjellë edhe mjaft risi, ku është aktivizuar për herë të parë si titullar 18-vjeçari Ari Djepaxhia, si dhe për herë të parë që nga merkatoja e verës dy mbrojtësit malazez, Mrvaleviç dhe Rajoviç, që janë aktivizuar për 90 minuta. Takimi do të niste në mënyrën më të keqe, ku i riu Djepaxhia, si lojtari i fundit, do të ndëshkohej me karton të kuq që në minutën e 10-të, pasi ka ndërhyrë në mënyrë të parregullt ndaj shkodranit, që mbron ngjyrat e Kastriotit, Gocaj. Në fund të ndeshjes krutanët kanë pretenduar për një penallti. Këto kanë qenë episodet më pikante të takimit të djeshëm të zhvilluar në stadiumin "Loro Boriçi" mes Vllaznisë dhe Kastriotit. Përfundimisht, Vllaznia ka marrë tri pikë shumë të vlefshme, përmes drithërimave, por të vlefshme për t‘ua larguar edhe me një vend fundit të tabelës së klasifikimit. Nga ana e tyre krutanët kanë pasur pretendimet e tyre për gjykimin, por që nuk kanë arritur të marrin minimalisht një pikë. Për Vllazninë kjo ishte fitorja e katërt sezonale dhe tani ndodhet në vendin 9-të me 15 pikë, një më shumë se Skënderbeu i vendit të 10-të me 14 pikë. Vllaznia mori revanshin ndaj krutanëve, ndaj të cilëve kishte humbur në fazën e parë 1-0. Kjo ishte fitorja e 8-të e Vllaznisë në 17 përballjet historike me Kastriotin (3 fitore, 6 barazime).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›