Tension në Laç, Besa barazon dhe largohet -12 nga kreu
Besa barazon 0-0 në Laç dhe humbet sërish terren ndaj Dinamos. Tashmë diferenca shkon në +12 pikë për kryesuesit e kampionatit: Dinamo, 38; Besa, 26. Kavajasit e vendit të dytë luajtën në transfertën e Laçit. Pikërisht aty ku tri javë më parë u mund edhe Tirana, ndaj vështirësia për kavajasit ishte e një shkalle të lartë. Forma e mirë që po kalon javët e fundit skuadra kurbinase, me fitore jo vetëm në shtëpi, por edhe jashtë fushe, si herën e fundit në Ersekë, ishin paralajmërime të qarta për Besën e Shpëtim Duros, se nuk do ta kishte aspak të lehtë. Asnjë gol i shënuar në këtë sfidë, të luftuar fort, por me vendasit më kërkues e kontrollues të topit, që e frenon sërish Besën. Ndeshja është zhvilluar në presion të vazhdueshëm psikologjik. Gjyqtari ndërkombëtar, Albano Janku, u godit me sende të forta nga tifozët laçianë për shkak të dhënies së disa faulleve në favor të Besës, pavarësisht se në cilën pjesë të fushës ndodhej goditja e lirë. Mesfushori i Besës, Paulin Dhëmbi, u godit me gur në kokë, duke kërkuar ndihmë mjekësore. Takimi është ndjekur edhe nga trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe. Për Besën ky ishte barazimi i pestë sezonal, ashtu si për Laçin (17 pikë). Edhe barazimi i tyre i fundit midis dy ekipeve kishte përfunduar 0-0, por që daton 16 vjet më parë, më 11 shkurt 1993. Bilanci i dy ekipeve: 18 ndeshje; 5 fitore Laçi, 3 barazime, 10 fitore Besa.
A. Manallari
A. Manallari