E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trajneri maltez me superlativa për Shqipërinë

La Valeta - Përfaqësuesja jonë e futbollit është mbështjellë me superlativa nga trajneri i Maltës, Dushan Ficel. Tekniku çek i maltezëve i ka bërë me dije mediave vendase se Shqipëria ka arritur t’i bëjë ballë “bigëve” të grupit, siç janë Suedia dhe Portugalia.

Pika e dobët e Shqipërisë, sipas trajnerit të Maltës, është se pjesa më e madhe e futbollistëve të saj luajnë në kampionatin gjerman dhe atë ukrainas. Në këto kampionate ka patur një ndërprerje të gjatë, dhe kjo ndikon negativisht tek shqiptarët, sipas Dushan Ficel.

“Shqipëria ka bërë përparime të mëdha që kur ka ardhur trajneri holandez Ari Han. Ajo ka provuar se mund të marrë rezultate pozitive edhe me ‘bigët’ e grupit tonë”, deklaron Ficel për mediat malteze.

“I vetmi avantazh për ne është fakti se pjesa më e madhe e lojtarëve të tyre luajnë në kampionate të tilla si Ukraina e Gjermania, -vazhdon më tej ai, -dhe kështu këta lojtarë nuk kanë luajtur në kompeticion për një kohë të gjatë, për shkak të pauzës dimërore në këto vende”.

“Ndeshja do të jetë e vështirë për ne, pasi shqiptarët janë të vetëdijshëm se dhe tri pikë të tjera nga kjo ndeshje do t’i dërgonte ata në krye të renditjes në një pozicion shumë sfidues”, deklaron në fund trajneri i Maltës, Dushan Ficel.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›