Traktati i Lisbonës, si i mbijetoi gabimeve komike të Polonisë
Ish-presidenti polak, Lech Kaczynski, bëri ratifikimin e Traktatit të Lisbonës, një veprim që u debatua me nota komike për rrjedhën që morën ngjarjet. Por ndërsa për hapat para nënshkrimit dihen disa të dhëna, të pakta janë informacionet që kanë qarkulluar në lidhje me pjesën pas vendosjes së firmës. E fillojmë me hapat para firmës. Polonia ishte vendi i fundit që vuri firmën për traktatin. Ajo kishte ngulmuar që të priste deri në përfundimin e votimit të Irlandës dhe kur vota doli pro Traktatit, vendosi që të jepte edhe “po”-në e vet. Por dy ditë pas votës irlandeze, BE-ja po mbante frymën për reagimet e Presidentit polak, i cili, pasi u mendua mirë, kërkoi që në ratifikim të merrnin pjesë disa liderë të vendeve të BE-së, në një ceremoni në pallatin mbretëror të Polonisë. Ditën e madhe, më 10 tetor, ai mbajti një fjalim pro BE-së, por ndërsa po përpiqej që të nënshkruante ratifikimin si për inat, stilografi nuk funksiononte. Tani mësohet se edhe pas firmës ka pasur situata të veçanta. Kështu kur dokumenti shkoi në Ministrinë e Jashtme, zyrtarët zbuluan se Kaczynski nuk kishte vënë datën pranë firmës së tij, çka vërtet është formale, por në një rast të tillë, e bën problematik dhe të paplotë një dokument të një rëndësie të tillë. Kështu, sekretarët e Ministrisë së Jashtme, vrapuan në pallatin presidencial dhe ia dhanë Presidentit dokumentin për të vënë datën e munguar. Po atë ditë, disa orë më vonë shefat e protokollit u nisën në Romë për ta çuar dokumentin në arkivin e BE-së, por ndërsa ishin në avion, u kujtuan se në letër mungonte vula e shtetit polak. Në një rast të tillë, dokumenti ishte tërësisht i pavlefshëm. Panë ç’panë zyrtarët, morën dhe një herë vrapin për në Varshavë, për të vulosur dokumentin. është e vështirë që të thuhet se çfarë do të kishte ndodhur me dokumentin nëse ai do të kishte hyrë në arkivat e Romës pa vulë, por një gjë është e sigurt, që saga e vështirësive të ratifikimit të Traktatit të Lisbonës nga Polonia ishte vërtet e gjatë dhe me nota humori.
#