E Diel, 1 Nëntor 2026

Turqia kërcënon Izraelin me prishje marrëdhëniesh

Nëse Tel Avivi nuk do të kërkojë falje për vrasjen e 9 aktivistëve turq

Turqia ka paralajmëruar Izraelin se do të ndërpresë të gjitha marrëdhëniet diplomatike, nëse Izraeli nuk kërkon ndjesë për sulmin ndaj anijeve turke me ndihmë për në Gaza, në muajin maj. Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, tha se përkeqësimi i marrëdhënieve mund të mënjanohej vetëm nëse Izraeli e pranonte përfundimin e një hetimi ndërkombëtar, në lidhje me vrasjen e nëntë aktivistëve turq në njërën prej anijeve. Izraeli ka thënë se nuk ka për çfarë të kërkojë ndjesë. Një zëdhënës i Izraelit tha se kërcënimet dhe ultimatumet nuk ishin mënyra e duhur për të zgjidhur këtë çështje. Ankaraja i ka reduktuar marrëdhëniet me Izraelin pas incidentit në të cilin u vranë nëntë turq. Deri pak kohë më parë, Ankaraja ka qenë një nga aleatët më të ngushtë të Izraelit në përgjithësi dhe në rajonin e Lindjes së Mesme në veçanti. Por pas këtij incidenti, Turqia e tërhoqi ambasadorin dhe kërkoi që Izraeli të kërkonte falje dhe familjet e viktimave të kompensoheshin për humbjet e tyre. Sipas disa zyrtarëve të lartë turq, marrëdhëniet me Izraelin kanë arritur një pikë shumë të ulët, por Ankaraja nuk do të nxitojë që t’i presë lidhjet në mënyrë definitive. Ministri i Jashtëm do të ishte i kënaqur nëse hetimi për tragjedinë që ndodhi do të vazhdonte dhe Izraeli do të fajësohej për këtë. Për gazetën më të madhe në Turqi, ministri deklaroi se Izraeli ose do të kërkonte falje dhe do të kryente hetime të pavarura për atë që ndodhi, ose marrëdhëniet me Turqinë do të ndërpriteshin. Këto deklarata vijnë pesë ditë pas një takimi të papritur mes ministrit të Jashtëm turk dhe ministrit izraelit të Tregtisë në Zvicër. Në reagimin që pati për shtetin turk, ministri i Jashtëm hebre, Avigdor Lieberman, tha se Izraeli nuk kishte aspak ndërmend që të kërkonte falje. Izraeli ka deklaruar që në fillim të kësaj situate që është rënduar shumë, pasi komandot e tij vepruan për vetëmbrojtje, pasi ishin sulmuar më parë nga aktivistët që ndodheshin në anijet që kërkonin të çonin ushqime dhe të çanin bllokadën në Gaza. Ndërsa aktivistët që ndodheshin në anijet që u sulmuan, deklaruan se në fakt që në fillim u përdorën armë dhe mjete të dhunshme nga komandot izraelite, që mësynë në anije pa paralajmërim dhe në mënyrë të dhunshme. Dje, Izraeli ka publikuar një listë të sendeve që nuk lejohen që të futen në Gaza, çka në dukje e vështirëson edhe më situatën në zonën e bllokuar.

Turqia dhe Izraeli kanë pasur me njëra-tjetrën një lidhje shumë të fortë ushtarake dhe tregtare, menjëherë pas njohjes që i bëri Ankaraja Izraelit në vitin 1949. Turqia ishte vendi i parë mysliman që e njohu shtetin e Izraelit dhe për një kohë të gjatë mbeti i vetmi vend. Por marrëdhëniet janë ftohur vitet e fundit edhe pse ato tregtare vazhdojnë të jenë shumë të mira. Qeveria turke, e drejtuar nga partia që ka rrënjë islamike, ka kritikuar ashpër luftën e shpallur nga Izraeli në Gaza në fund të vitit 2008 dhe fillim të vitit 2009. Në janar të vitit 2009, Kryeministri turk, Erdogan, në Forumin Ekonomik të Davosit iku haptas nga një takim pas një përplasjeje të ashpër me Presidentin e Izraelit, Peres. Në janar të këtij viti, Izraeli u detyrua që të kërkonte falje për mënyrën me të cilën zëvendësministri i tij i Jashtëm trajtoi ambasadorin turk. Ngjarja e fundit e rëndë në Gaza duket se e ka çuar marrëdhënien mes të dyja vendeve në pikën më të ulët, duke rrezikuar edhe prishjen e marrëdhënieve nëse nuk do të gjendet një rrugë kompromisi.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›