Zbardhet skema e mashtrimit të Berluskonit
Një lojë e nisur për para. Një mashtrim që do t’i kushtojë burgun Fatmir Fllagës dhe Adriana Urës, të cilët kishin ngritur në mendje një strukturë ndërkombëtare Interpoli dhe duke përdorur falsifikimet arritën ta “ligjëronin” këtë zyrë pranë Ministrisë së Drejtësisë. Për ta bërë sa më të besueshme për “viktimat”, sajuan edhe një emër. Menduan fillimisht për politikanë shqiptarë, por duke qenë se vendi jonë është shumë i vogël, mendja u shkoi në Itali. Nuk ishte e vështirë të krijonin mbiemrin e Kryeministrit italian Silvio Berluskoni. Por u duhej një emër dhe pas diskutimeve të gjata vendosën për emrin Romollo, si një ish-gjeneral i lartë italian. Pra u vendos: sponsorizimi i kësaj strukture do të bëhej nga shtetasi italian Romollo Berluskoni. Por besueshmëria do të rritej nëse ky shtetas (fiktiv) do të kishte lidhje me Kryeministrin italian. Sërish në lojë truri dhe përgjigjja për “viktimat” ishte se “ky sponsorizues është djali i xhaxhait të Silvio Berluskonit”. Gjithçka po ecte mirë e bukur dhe “pretë” e para nuk munguan. Shumë individë u paraqitën te Fatmir Fllaga dhe Adriana Ura (të dy të papunë dhe i pari ka qenë me detyrë në Forcat e Armatosura të Ushtrisë) për të kërkuar punë. Paga ishte shumë e mirë dhe ambientet e zyrës gjithashtu shumë të mira, në një nga vendet luksoze në Tiranës. Aplikantët morën një formular punësimi dhe shkruan të dhënat e tyre. Kuota e anëtarësimit ishte 40 euro, një shumë simbolike, e cila do të pasohej më pas nga një kuotë tjetër. Brenda një periudhe të shkurtër në këtë “zyrë ndërkombëtare Interpoli” filluan aplikimet e para. Shumë individë u paraqitën te Fllaga dhe Ura për t’u njohur me kushtet e punës. Zyra ofronte mundësi të mira pune, pagë e mirë dhe lëvizje në të gjithë Ballkanin. Dy organizatorët e këtij rrjeti kishin krijuar edhe një hierarki pagash. E fillonin nga pastruesja, e cila kishte një pagë 300 euro, agjentët e Interpolit kishin një pagë 800 euro, badigardët do të kishin një pagë prej 1000 eurosh dhe drejtuesit e kësaj zyre do të kishin një pagë prej 1500 eurosh. Pra, gjithçka e organizuar dhe shumë nga individët që paguan kuotën e anëtarësimit prej 40 eurosh shprehën dëshirën për të qenë pjesë e kësaj strukture. Nga Fllaga dhe Ura mësuan se duhet të paguanin një shumë prej 2000 eurosh dhe duhet të linin disa fotografi. Me të dhënat në certifikata ata duhet të merrnin edhe pasaporta shërbimi dhe diplomatike, në bazë edhe të vendit të punës. Gjithçka e mirorganizuar dhe 8 prej “viktimave” paguan kuotën e dytë të anëtarësimit prej 2000 eurosh. Pas më shumë se 40 ditësh filluan të mbërrinin kërkesat e para dhe duke parë interesimin e madh në lojë hyri policia dhe prokuroria. Njësia Task Forcë në prokurorinë e kryeqytetit mbajti nën vëzhgim dhe përgjim dy të dyshuarit, të cilët komunikonin lirshëm midis njëri-tjetrit, duke shpërndarë detyrat. Krahas dy të arrestuarve, prokuroria dyshon se edhe një person i tretë ka qenë organizator dhe hetimet e mëvonshme pritet të zbardhin identitetin e tij, i cili dyshohet paraprakisht se ka pasur lidhje dashurore me 26-vjeçaren. Megjithatë, nga përgjimet ka rezultuar se ky grup vepronte kryesisht në Tiranë dhe të mashtruarit ishin edhe pjesëtarë të një familje. Pasi kishin marrë vesh për këtë zyrë, shumë individë kanë tërhequr edhe familjarët e tyre, duke paguar edhe të holla. Numri i të mashtruarve, sipas akuzës, është 85 persona, ndërsa përgjimet kanë rezultuar se disa prej tyre kanë paguar edhe nga 2000 euro me shpresën se do të merrnin edhe pasaportën e shërbimit. Të mashtruarve u është dhënë edhe një dokument nga kjo zyrë me emrin “Zyra ndërkombëtare e Interpolit”, e cila ishte false. Prokuroria thotë se asnjë person nuk ka mundur të kalojë kufirin me këtë skemë mashtrimi.
#