E Shtunë, 31 Tetor 2026

Traktati s’është i Kuçit

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi po vazhdon ta promovojë nënshkrimin e një traktati paqeje si një zgjidhje për problemet mes Kosovës dhe Serbisë. Një ofertë të tillë të quajtur “Traktati i Miqësisë”, Serbia e kishte refuzuar edhe gjatë negociatave për statusin, më 2007, kur atë e kishte propozuar Ekipi i Unitetit.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka vazhduar ta promovojë një qëndrim të tij për nënshkrimin e një traktati mes Kosovës dhe Serbisë për të zgjidhur telashet mes dy vendeve.

Kjo ide ka nxitur reagime të shumta në vend dhe jashtë me arsyetimin se “ideja e Kuçit” është e dëmshme.

Kundër Kuçit ka dalë edhe ish –Kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti si dhe ish – Ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, i cili e ka quajtur të pamenduar atë që po e propozon Kuçi.

Madje duke polemizuar me Kurtin,i cili e ka quajtur të pamundur Traktatin me Serbinë për shkak se Kosova nuk ka ushtri, Kuçi ka thënë ai merr vesh diçka për traktatet.

Sido që të jetë, historiku i Traktatit me Serbinë është pak më ndryshe dhe nuk është ide e Zëvendëskryeministrit.

Kjo ide ishte prezantuar pas dështimit të Prishtinës dhe Beogradit për të arritur një marrëveshje me ndërmjetësimin e Martti Ahtisaarit, kur komuniteti ndërkombëtar kishte vazhduar procesin e bisedimeve me “Trojkën“, ku bënin pjesë ambasadori gjerman, Wolfgang Ischinger nga Bashkimi Europian, ambasadori Frank Wisner nga SHBA’ja dhe diplomati rus, Aleksandar Botsan Kharchenko.

Si një nga rrugëdaljet nga qorrsokaku i statusit dhe Ekipi i Unitetit, me sugjerime ndërkombëtare, kishte ofruar “Traktatin e Miqësisë” si një zgjidhje mes dy vendeve.

Natyrisht një ofertë e tillë ishte hedhur poshtë nga autoritetet e Beogradit.

Por Kuçi ka vazhduar të lobojë për “idenë e tij”.

“Është një ide e menduar mirë, është një ide do të thosha, edhe politike, edhe intelektuale. Këtu e shoh finalizimin e raporteve Kosovë-Serbi. Ne i kemi provuar të gjitha me Serbinë, vetëm paqen jo dhe ky është një vullnet yni që ta bëjmë një veprim të tillë”, ka thënë ai.

“Disa i quajnë traktate për fqinjësi të mirë, ka shtete që e quajnë traktat të miqësisë, por po e thashë në Kosovë, ma zënë për të madhe. Pra, fjala është për një traktat për paqe, që duhet ta rrumbullakojë çdo problem të hapur”, ka thënë Kuçi.

Spektri politik opozitar në Kosovë, por edhe deputetë të partive në pushtet e kanë parë me sy kritik idenë e Zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi për një traktat paqeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Opozitarët këtë ide e kanë cilësuar si ide të parakohshme dhe vështirë të realizueshme, duke marrë parasysh politikën ekstremiste që ndjek shteti serb karshi Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›