Berisha: Projekti i TAP, ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetesës së qytetarëve
Qeveria shqiptare e angazhuar të përmbushë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga projekti i gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)
Ambasadori Ettore Sequi: Mbështesim projektin, i rëndësishëm edhe për Evropën. Drejtori i TAP: Gjeneron mijëra vende pune
“Gazsjellësi Trans-Adriatik Pipeline (TAP) ka një rëndësi të madhe për Shqipërinë me ndikim të drejtpërdrejtë në nivelin e jetesës së qytetarëve shqiptarë”. Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha, duke përshëndetur simpoziumin për Zhvillimin e Tregut të Gazit në Shqipëri, e organizuar nga ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë së Shqipërisë, kushtuar projektit të gazsjellësit TransAdriatik (TAP). Berisha vlerësoi mbajtjen e këtij diskutimi në Tiranë, që sipas tij, e ka shndërruar në kryeqytetin evropian të debatit për gazin, ndërsa në të njëjtin kontekst shprehu besimin se konsorciumi Shah Deniz 2, do të përzgjedhë TAP-in si projektin më fizibël dhe më strategjik, për furnizimin e Evropës me gaz. “Gazi ka një rëndësi parësore. Duke shpresuar dhe besuar në vendimin përfundimtar pozitiv të konsorciumit Shah Deniz 2 për të përzgjedhur TAP-in si projektin më fizibël, si projektin më strategjik, në sensin që balancon më mirë furnizimin me gaz të kontinentit Evropian dhe vendeve perëndimore”- u shpreh kryeministri Berisha.
Duke vlerësuar se gazsjellësi TransAdriatik përbën kryeprojektin për Shqipërinë në procesin e një industrializimi, Kryeministri Berisha theksoi se qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka për të përmbushur çdo detyrim që rrjedh nga marrëveshjet multilaterale me vendet fqinje dhe konsorciumin e TAP-it. “Ky takim, kushtuar gazsjellësit Trans Adriatik (TAP), ka një rëndësi shumë të madhe për Shqipërinë, por dua të theksoj se rëndësia e tij del jashtë kufijve të vendit tim. Gazsjellësi Trans Adriatik është, padyshim, projekti më i madh dhe më me perspektivë në fushën e energjisë, në fillimet e këtij shekulli; është pa mëdyshje projekti më fizibël, çka u bën nder të veçantë atyre që kanë vite e vite që punojnë me përkushtim të madh në këtë projekt; është projekti më strategjik për Evropën, pasi balancon dhe diversifikon burimet e saj energjetike, lidh më ngushtë në korridore energjetike rajonet e saj dhe më pas Turkmenistanin e zona të tjera. Për Shqipërinë gazsjellësi Trans Adriatik përbën krye projektin e saj në procesin e një industrializimi. Ne po bëjmë gjithçka për të përmbushur çdo detyrim që rrjedh ndaj konsorciumit dhe palëve të tjera për një partneritet luajal dhe serioz në këtë projekt të madh. Shqipëria u është mirënjohëse partnerëve të saj në këtë projekt për gatishmërinë që ata kanë shprehur për të ndihmuar vendin tonë në masterplanin e gazifikimit. Është jashtëzakonisht i rëndësishëm, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të përfitojnë në maksimum dhe me një ndikim direkt për nivelin e jetesës së tyre nga përdorimi në shkallë të gjerë i gazit, në të katër skajet e vendit”- u shpreh Berisha.
Shefi i ekzekutivit theksoi se Shqipëria synon të shndërrohet në një superfuqi e energjetike në rajon, ndërsa me ndërtimin e gazsjellësit TAP, merr një rëndësi strategjike akoma edhe më të madhe. “Shqipëria është në rrugën e transformimit të një superfuqie energjetike rajonale. Ajo ka rezerva enorme ujore dhe përfaqëson një Norvegji të vogël në gadishullin e Ballkanit. Shqipëria, sipas të dhënave më të fundit, ka depozita enorme hidrokarburesh. Kompanitë më serioze janë duke eksploruar të bindura për sukses të pashmangshëm në zona të ndryshme të vendit. Shqipëria ka pozicionin gjeografik më të përshtatshëm, përballë Italisë, një tregu gjigand energjetik, me një ngushticë që të kujton Gjibraltarin. Të gjitha këto e bëjnë për ne projektin TAP një projekt jetik, të një rëndësie të madhe strategjike. Unë dua t’i garantoj partnerët se do të bëjmë gjithçka për të përmbushur çdo detyrim që rrjedh nga marrëveshjet multilaterale me vendet fqinje dhe konsorciumin e TAP. Sikundër, qeveria është e vendosur të bashkëpunojë për zgjerimin e hapësirave dhe të tregut për këtë projekt në veri të Ballkanit dhe më gjerë. Ajo është e vendosur të vërë në dispozicion depot e saj natyrore të gazit dhe të parashikojë bashkëpunim, në të gjitha rrethanat, e zbulimit të depozitave të rëndësishme të gazit në Shqipëri”- tha ai.
Gjithashtu, kryeministri informoi të pranishmit se qeveria po punon me intensitet për të përmirësuar klimën e biznesit në vend me prioritet kryesor nxitjen e investimeve në fushën e energjisë. “Shqipëria po punon me intensitet për të përmirësuar klimën e biznesit. Qeveria ka ndërmarrë një seri masash, të cilat kanë bërë që Shqipëria të renditet në një vend të lakmueshëm në tërheqjen e investimeve të huaja. Sipas UNCTAD ky vend mori vitin e kaluar investime më shumë seç ka kapacitetet dhe këto për shkak të përpjekjes sonë për një klimë sa më miqësore me biznesin. Ky do të jetë dhe qëndrimi ynë në fushën e energjisë. Ne do të bëjmë gjithçka për tregun më liberal, për standardet më të hapura në këtë fushë. Në pamje të parë, ne jemi një konsumator i parëndësishëm, por kjo është vetëm përshtypja e parë. Në të vërtetë tregu i gazit në Shqipëri do të ketë një partner shumë të rëndësishëm”- theksoi Berisha.
Krahas energjetikës, kryeministri Berisha specifikoi edhe fushën minerare si mundësi të shkëlqyer për investime. “Shqipëria, përveç ambicies së saj për tu shndërruar në një superfuqi energjetike rajonale, disponon pellgjet botërore të kromit, nikelit, hekurit, hekur-nikelit, bakrit, të cilat në vitet që vijnë do të njohin në Shqipëri të gjitha proceset e përpunimit”. Ndërkohë, simpoziumi për Zhvillimin e Tregut të Gazit në Shqipëri u përshëndet edhe nga ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, z. Ettore Sequi, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë z. Edmond Haxhinasto, Drejtori Menaxhues i gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) z. Kjetil Tungland, ndërsa ishin të pranishëm përfaqësues dhe faktorë kyç të sektorit të gazit dhe energjisë në Shqipëri, si dhe vendeve te tjera.
Haxhinasto: Gazifikimi nxit zhvillimin ekonomik/Zv-kryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Edmond Haxhinasto vlerësoi tregun e gazit në Shqipëri si një mundësi të jashtëzakonshme për t’u shfrytëzuar në funksion të zhvillimit të vendit. “Gazifikimi i vendit dhe për rrjedhojë zhvillimi i një tregu gazi është një nga prioritetet kryesore në axhendën energjetike të qeverisë, pasi gazifikimi do të forcojë sigurinë e furnizimit me energji në Shqipëri, si dhe do të kontribuojë në integrimin rajonal të vendit në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë” - u shpreh ai. Z. Haxhinasto theksoi se zhvillimi i sektorit energjetik përbën një bazë të rëndësishme dhe shtytje të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit dhe rritje të ekonomisë, pasi gazifikimi do të nxisë në mënyrë të drejtpërdrejtë prosperitetin ekonomik për qytetarët dhe për vendin. Numri 2 i qeverisë, duke përmendur projektet e mëdha si Trans Adriatik Pipeline (TAP), Ionian Adriatik Pipeline (IAP), si dhe Unaza e Gazit e Komunitetit të Energjisë, tha se “këto projekte përbëjnë mundësi shumë të mëdha që ndikojnë drejtpërsëdrejti në gazifikimin e vendit”. “Këto gazsjellës dhe kjo infrastrukturë do të kenë një impakt të jashtëzakonshëm për zhvillimin e infrastrukturave të mëtejshme të furnizimit dhe shpërndarjes së gazit natyror në Shqipëri”- theksoi ministri Haxhinasto.Duke shprehur mbështetjen e plotë për TAP, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto vlerësoi se furnizimi i tregut të gazit është objektivi më madhor për Shqipërinë në kuadër të këtij projekti. Gjithashtu, z. Haxhinasto deklaroi se konkludimi i Master Planit të gazit është një hap i domosdoshëm për tregun e gazit në Shqipëri.
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi
Brukseli mbështet projektin e TAP, Shqipëria përfiton shumë nga ky investim
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Ettore Sequi tha se Komisioni Evropian do të bëjë gjithçka të mundur që projekti i gazsjellësit TAP, të realizohet në Shqipëri. Ai u bëri apel përfaqësuesve të TAP, pjesëmarrës në konferencë, që të shfrytëzojnë tregun shqiptar që ka nevojë për gaz, por njëkohësisht edhe të investojnë. “Me gazsjellësin e Kaukazit verior që do sjellë gaz në Shqipëri ne presim që tregtarët komercialë të sjellin atë që kanë premtuar. Gjithë Korridori të jetë fleksibël dhe të rrisë tregun në gjithë vendin ku kalon. Korridori nuk duhet të ndalojë, por duhet të vijojë me rritjen e kërkesës. Është kredit për Shqipërinë që ky investim të vijë në këtë vend. Shqipëria duhet të jetë më shumë se një vend pritës, pjesëmarrëse në zhvillimin e Evropës. TAP duhet të integrohet dhe të bëjë investime në Shqipëri. Ka mundësi të ketë përfitime të pritshme në Shqipëri, ku dhe Shqipëria duhet të përfitojë sa më shumë nga ky investim”- u shpreh ai.