Transferimi i Veliajt në burgun e Fierit, avokati Ndreca: Është vendosur në sektorin më të vështirë, në kushte të rënda dhe denigruese! Po i vështirësohet drejtimi i Bashkisë
Avokati Plarent Ndreca ka ngritur shqetësime për kushtet në të cilat po mbahet Erion Veliaj pas transferimit në burgun e Fierit. Pas takimit me kryebashkiakun e Tiranës, ai deklaroi se në dhomën ku qëndron nuk ka ujë dhe se kushtet vijojnë të jenë të rënda dhe denigruese.

Në një prononcim për mediat pas takimit, Ndreca bëri të ditur se, pavarësisht transferimit në një dhomë me dritë natyrale, kushtet e qëndrimit të Veliajt nuk kanë ndryshuar dhe ai ndodhet në sektorin më të vështirë të burgut.
Avokati kritikoi edhe mënyrën se si Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka komunikuar për transferimin e kryebashkiakut të Tiranës. Sipas tij, u deshën 32 orë që institucioni të publikonte një njoftim zyrtar. Ai theksoi se institucioni duhet të bëjë të ditur aktin mbi të cilin mbështetet vendimmarrja.
Ndreca pretendoi se transferimi në Fier krijon vështirësi shtesë edhe për ushtrimin e detyrës së Veliajt si kryetar i Bashkisë së Tiranës, si dhe për komunikimin me mbrojtjen ligjore.
“Kushtet vijojnë të jenë të njëjta, me një ndryshim, thjeshtë ka ndryshuar një dhomë që ishte pa drita natyrale, sot ka kaluar te një dhomë me dritë natyrale. Por që vijon të jetë në kushte denigruese në sektorin më të vështirë të burgut. Nuk ka akoma vend ku të lërë rrobat, nuk ka ujë brenda, dhe për rrjedhojë vazhdon në të njëjtat kushte denigruese për atë, dhe për atë çfarë përfaqëson, por që tashmë është e qartë më në fund pse u vonua. Qenka një sekret, u dashkan 32 orë, u dashka që të vijë avokati i popullit, të flasin anëtarë të PS-së, në mënyrë që pas 32 orësh të marrim vesh që kjo qenka sekret. Sigurisht që ne do të kërkojmë informacion dhe nuk do ta lemë më kaq.
Mungesa e transparencës për një vendimmarrje që duhej të ishte e drejtë elementare, e drejtë bazike, që institucioni shtetëror të japë aktin në të cilën bazohet vendimmarrja e tij dhe cenohen të drejtat e individit. Mos të harrojmë që zoti Veliaj është kryetar i Bashkisë Tiranë dhe në vend që t’i krijohen kushte oprimale për të vazhduar detyrën, i vështirësohen. I vështirësohet puna e avokatit të tij, që duhet të bëjë punë shtesë, të vijë më larg. I vështirësohet jeta familjarëve që duhet të vijnë 100 kilometra më larg”,- tha Ndreca.