E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transferohen 40 të burgosur VIP

Nuk mund të qëndrojnë më në këtë burg me probleme, i janë drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve zyrtarët e burgut të Burrelit. Të dënuarit, 10 prej të cilëve me burg të përjetshëm, u transferuan në burgun e Fushë-Krujës nën masa të rrepta sigurie

 BURREL - “Burgu i Burrelit nuk është më burg i sigurisë së lartë”. Këtë e thonë jo vetëm ish-drejtues dhe punonjës të policisë së këtij burgu, pak kohë pas arratisjes së bujshme së dy të dënuarve me burg të përjetshëm, Fran Marashi dhe Preng LLeshi, më 5 prill 2008, por dhe fakti se 40 nga të dënuarit VIP u larguan nga qelitë e këtij burgu. Burime të sigurta informacioni sqarojnë se me kërkesë të drejtuesve aktualë të burgut të Burrelit, janë transferuar nga ky burg 40 të dënuar. “Nuk mund të qëndrojnë më gjatë në këtë burg me probleme”, janë shprehur zyrtarët e këtij institucioni në kërkesën drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Pasditen e së mërkurës, të dënuarit kanë udhëtuar nën masa mjaft të rrepta sigurie nga burgu i Burrelit në drejtim të burgut të Fushë-Krujës. Mjete të policisë dhe efektiva të burgjeve dhe Policisë së Shtetit kanë kryer shoqërimin e tyre deri në Milot, ku të tjera mjete të policisë së Laçit i janë bashkuar autokolonës së makinave që shoqëronin të dënuarit që ishin “strehuar” në burgun e Burrelit. Megjithëse drejtoria e burgut nuk dha informacion për mediat rreth këtij transferimit, të paktën për t’u bërë të ditur familjarëve se ku ndodhen njerëzit e tyre, mësohet se janë transferuar 10 persona të dënuar me burgim të përjetshëm dhe 30 të tjerë me dënime të rënda. Vetëm pak kohë më parë, ky burg u përfshi nga skandali për ushtrim prostitucioni me të mitura brenda qelive. Në lidhje me këtë u vu në dijeni edhe kryeministrin Berisha, i cili në letër-përgjigjen e tij është shprehur se kishte kërkuar nga institucionet e larta që merren me burgjet, që të hetonin dhe të zbardhnin të vërtetën. Megjithëse të rezervuar, punonjës të policisë shprehen se aktualisht në dosjet e prokurorisë ndodhen fakte të forta, se në burgun e Burrelit është ushtruar prostitucion. Certifikata false, regjistra ku mbaheshin emrat e personave që takoheshin me të dënuarit, dëshmi të gardianëve etj., janë tashmë në duart e organit të akuzës jo vetëm si dëshmi për keqdrejtimin e burgut të Burrelit, por edhe si fakte që tregojnë se ky burg nuk është më i sigurisë së lartë.

Tafili mbetet pa çelësat e burgut

Mësohet se Admir Tafili, i dënuari që mbante çelësat e burgut të Burrelit, është njëri nga të dënuarit VIP që nuk do të banojë më në burgun e Burrelit. Kjo lidhet me kërkesën e ish-drejtorit Beqir Metani dhe drejtorit aktual, Shkëlqim Gjoçuka, për largimin e tij nga ky burg. Pak ditë pas arratisjes së bujshme të 5 prillit të Preng Lleshit dhe Fran Marashit, prokuroria zbuloi që çelësat e kuzhinës dhe mjediseve të tjera i mbante vrasësi i Arben Zylyftarit. Lajmi i botuar në gazetën “Korrieri” nuk është hedhur poshtë nga institucionet e larta të shtetit që merren me menaxhimin e burgjeve. Masat shtrënguese të policisë së burgjeve pas arratisjes së dy të dënuarve, bënë që Tafili të kërcënonte me jetë ish-drejtorin Metani, i cili jo vetëm vendosi masa shtrënguese gjatë situatës së rëndë, por e denoncoi publikisht kërcënimin e bërë. Ndërkohë, punonjës të policisë së burgut të Burrelit thanë për gazetën, se drejtori aktual nuk ka marrë kontakt me të dënuarit, por vartësit e tij i kanë sugjeruar se cilët ishin personat që duheshin larguar nga burgu i Burrelit. Ata kanë sqaruar Gjoçukën për të dënuarit problematikë. Kjo listë u dërgua në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe më pastaj u miratua.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›