E Shtunë, 31 Tetor 2026

I refuzohet azili ujgurit shqiptar

Njëri nga kinezët myslimanë të ardhur në vendin tonë pasi u liruan nga burgu amerikan i Guantanamos, do të ritentojë të apelojë vendimin e Gjykatës së Stokholmit për të përfituar azil politik aty

STOKHOLM – Suedia i refuzon azilin politik njërit prej ujgurëve që gjetën strehim disa vite më parë në vendin tonë. Të mërkurën, Suedia i refuzoi azilin politik një kinezi mysliman që u lirua nga gjiri i Guantanamos, pasi Shtetet e Bashkuara konfirmuan faktin që ai nuk ishte terrorist. Adel Abdu al-Hakim, i cili i përket një grupi minoritar mysliman kinezësh që flasin gjuhën turke, të quajtur ndryshe ujgurë, iku në vitin 1999 nga Kina, për t’u shpëtuar persekutimeve. Më pas përfundoi në Pakistan e më vonë ra në rrjetën e kërkimeve për terroristë pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001, duke u mbajtur nën tutelën amerikane në qendrën e tyre në gjirin e Guantanamos, në Kubë. Pasi u lirua në vitin 2006, Al-Hakim erdhi në Shqipëri, i vetmi vend që mundi ta pranonte. Sipas rregullave të Bordit Suedez të Migrimeve, Al-Hakim nuk mund të kthehej mbrapsht në Kinë. Por bordi tha se “ai nuk ka më asnjë arsye që të kthehet mbrapsht si refugjat në Shqipëri”. Avokati i tij suedez, Sten De Geer, tha se do të apelonte vendimin, duke e cilësuar vendimin si “një skandal të pakrahasueshëm”, De Geer tha se Shqipëria nuk do ta lejojë gruan dhe fëmijët e Al-Hakim që janë akoma në Kinë, që të bashkohen me të. Al-Hakim aplikoi për azil në Suedi në muajin nëntor, ku ai shkoi për të marrë pjesë në një konferencë për të drejtat e njeriut, që u mbaj në Stokholm. Vendimi suedez për refuzimin e azilit politik ndaj tij, ishte dhe si një pistë për refuzimin e të paktën 16 ujgurëve të tjerë që qëndruan në Guantanamo, pasi asnjë shtet nuk do që t’i pranojë. Sipas ligjit amerikan, ata nuk mund të kthehen mbrapsht në Kinë, ku është e sigurt që do të persekutohen, por aktivistë të të Drejtave të Njeriut patën shpresuar në një vendim pozitiv të suedezëve, të cilët mund të inkurajonin vendet e tjera evropiane që t’u ofronin atyre mbrojtje. Dy hartues amerikanë ligjesh kritikuan Shtëpinë e Bardhë në fillim të këtij muaji për lejimin e qeverisë kineze që të merrte në pyetje ujgurët e mbajtur në gjirin e Gauntanamos dhe këshilluan që ata të jetonin si njerëz të lirë në Shtetet e Bashkuara. Përgatiti: El.El

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›