Transformimi i doganës së Hanit të Hotit, IKMT shemb disa objekte që pengonin investimin

TIRANË, 31 gusht /ATSH/ Dogana e Hanit të Hotit në Shkodër pritet të marrë një pamje të re, pas ndërhyrjes për rehabilitimin e shesheve dhe zonave përreth saj.
Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) bëri sot të ditur se ka ndërhyrë për shembjen e objekteve që pengonin realizimin e investimit, me kërkesë të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH).
Sipas IKMT-së, ndërhyrja synon të krijojë hapësirat e nevojshme për zbatimin e projektit dhe rehabilitimin e zonës kufitare.
“Dogana e Hanit të Hotit do të ketë një pamje të transformuar, falë rehabilitimit të shesheve dhe zonave përreth. Në përgjigje të kërkesës së ARRSH, Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) ndërhyri duke shembur objektet që e pengonin kryerjen e këtij investimi”, bëri të ditur IKMT.
/m.q/a.f/r.e/