“Transparency”: Kriza bllokoi luftën anti-korrupsion
Imuniteti fsheh zyrtarët nga hetimi për korrupsion. Ky është një ndër konkluzionet e arritura në raportin e publikuar dje, nga organizata e njohur “Transparency International” për Shqipërinë. Teksa flet për hetimin dhe pavarësinë e gjyqësorit, në raport thuhet se ka tre raste të korrupsionit në Shqipëri, ku janë përfshirë ministra dhe pjesëtarë të parlamentit, të cilët nuk mund të hetoheshin për shkak të imunitetit. Dobësi në pavarësinë e sistemit të drejtësisë paraqiten edhe në rastin e trupës gjyqësore, e cila është imune dhe ndëshkohet vetëm nga ministri i Drejtësisë, sipas raportit. Në kapitullin për Shqipërinë, raporti rezervon kritika ndërsa konstatohet se ngërçi politik në vend ka penguar reformat këto dy vitet e fundit. “Sistemi gjyqësor ka nevojë të reformohet në mënyrë që të sigurojë pavarësinë, përgjegjësinë dhe profesionalizmin e gjyqtarëve”, thuhet ne dokument. Vlerësohet se është mungesa e vullnetit politik ajo që po pengon përpjekjet për të luftuar këtë fenomen në Shqipëri. “Qeverisë shqiptare, ashtu si dhe asaj kosovare, maqedonase dhe turke, u kërkohet të bëjnë më shumë për të garantuar zbatimin e ligjeve anti korrupsion, të ndërtojnë kapacitete dhe të përmirësojnë qeverisjen e institucioneve kryesore. Ndonëse qeveria shqiptare ka premtuar reforma rrënjësore të sistemit gjyqësor, buxheti i Shqipërisë është reduktuar këto katër vitet e fundit, duke e bërë thjesht të pamundur implementimin e ndryshimeve sistematike. Në Europë, Shqipëria ka nivelin më të ulët të shpenzimeve qeveritare, të kushtuara gjyqësorit dhe rrogat e gjyqtarëve janë 50% më të ulëta se ato të Kosovës fqinje”, vijon raporti. Kushtet e vështira të punës, thuhet se mund të jenë një nga arsyet e numrit të vogël të ushtruesve në vendin që ka rreth 350 të tillë, shifër që e bën Shqipërinë një prej vendeve me raportin me të ulët të gjyqtarëve, në krahasim me popullsinë në Europë. Përsa i takon administratës publike, raporti thotë se ka ndërhyrje politike në emërimin e nëpunësve civilë dhe se parlamenti shqiptar nuk ka një administratë të pavarur dhe profesionale. Gjatë dy viteve të fundit, thotë më tej ‘Transparency International’, Parlamenti i Shqipërisë e ka pasur të pamundur të miratojë një sërë reformash të rëndësishme, për shkak të bojkotimit të opozitës. Një sfidë tjetër për organin ligjvënës, është se vendimet shpesh merren me dyer të mbyllura, pa u konsultuar më parë. Mungojnë takimet me shoqërinë civile dhe me grupet e tjera të interesuara, ndërkohë që projekt-ligjet nuk botohen në kohë. “Transparency International” kërkon që Shqipëria dhe tre vendet e tjera të përmbushin disa standarde financiare, ekonomike, sociale dhe politike. Ato përfshijnë edhe progresin në luftën kundër korrupsionit dhe qeverisjen e mirë. Mosarritja e këtyre të fundit, është provuar se mbetet pengesë për vendet kandidate ose potencialisht kandidate në BE.