E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruçi: Koalicion me LSI-në? U largua vetë! S’do jemi të ngurtë

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, nuk ka mohuar mundësinë e rikthimit të aleancës me Lëvizjen Socialiste për Integrim në zgjedhjet e ardhshme. I pyetur gjatë një intervistë në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” në News 24, Ruçi tha se “nuk kemi thënë për asnjë moment që koalicioni me 22 parti nuk funksionoi, ashtu sikurse nuk kemi thënë se ky nuk do të jetë funksional sërish. Gjithashtu, nuk do të jemi të ngurtë në zgjerimin e mëtejshëm të këtij koalicioni me parti të tjera”. I pyetur nëse kjo do të ndodhte edhe me LSI-në, Ruçi u shpreh se “kjo parti që ju më pyesni u largua nga koalicioni ynë për fajin e saj dhe jo për tonin. Doli në zgjedhjet e vitit 2009 me një program të majtë dhe anti-Berishë, por mori votën dhe e përdori në koalicion me të”. Ruçi insistoi se, nëse kjo forcë politike do të kishte moral, do të duhej që të rrëzonte këtë qeveri që në momentin kur Shqipëria nuk del me sukses në përpjekjen për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. “Kjo qeveri që u krijua në emër të integrimit, vetëm integrimin që nuk e solli për Shqipërinë”, theksoi Ruçi. Gjatë emisionit, Ruçi u ndal edhe te zhvillimet në Tiranë, duke këmbëngulur tek ajo çka e cilësoi skemë të gjerë manipulimi. Për të mbështetur këtë linjë, Ruçi tha se deri më tani Partia Socialiste ka gjetur 8 mijë votues të shtuar në Tiranë, të cilët figurojnë dy herë ose më shumë. “Këta janë pak, pasi ka të tjera më shumë. Problemi është i thjeshtë. I njëjti votues është në dy minibashki, i ndryshuar data e lindjes, viti i lindjes apo muaji i lindjes. Ne kemi luftuar dy vjet që të merrnim listat e zgjedhësve dhe ndeshëm me atë kundërshti të papranueshme dhe kundërshtari ynë nuk i dha. Ai nuk i dha sepse dilte kjo. Ja ku jemi sot. Së pari nuk kemi patur akses në lista. E dyta, nuk është detyrë e opozitës por kërkesë e ligjit, për ministrin e Brendshëm, drejtorinë e gjendjes civile, kërkesë për votuesin, që të votojë vetëm njëherë”, insistoi Ruçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›