Sequi dhe Topi: Përmbyllni zgjedhjet, riktheni dialogun
Një ditë pas bërjes publike të konkluzioneve të Këshillit të Ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian për Shqipërinë, të njëjtin apel lëshoi në Tiranë edhe ambasadori i KE-së, Ettore Sequi. Presidenti i Republikës Bamir Topi zhvilloi dje një takim pune në zyrën e tij, me Kreun e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, gjatë të cilit shkëmbyen mendime lidhur me situatën pas zgjedhore të krijuar në Shqipëri, duke shprehur njëkohësisht edhe shqetësimin e përbashkët për tejzgjatjen e përfundimit të këtij procesi. Presidenti Topi, pasi vlerësoi deklaratat e fundit të Baroneshës Ashton, Komisionerit për Zgjerim, Fule dhe konkluzionet e Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, ndau me Ambasadorin Sequi të njëjtin qëndrim të palëkundur se “në këtë situatë, është e domosdoshme nisja e menjëhershme e dialogut politik mes palëve dhe rivendosja e bashkëpunimit produktiv institucional”. Kreu i shtetit theksoi gjithashtu se kjo do të ishte dëshmia më e mirë e maturisë, që klasa politike mund t’i japë popullit të saj dhe bashkësisë ndërkombëtare për angazhimin dhe vullnetin real për zgjidhjen e ngërçit politik në vend. Në këtë pikë, ambasadori Sequi vuri në dukje faktin se “Europa e Bashkuar është e ndërtuar mbi bazën e institucioneve, prandaj për të është shumë e rëndësishme që të respektohen institucionet e pavarura kushtetuese”. Kryetari i shtetit u shpreh gjithashtu se vetëm zgjidhjet institucionale, të ardhura përmes dialogut politik dhe marrëveshjes në respekt të Kushtetutës, ligjit dhe institucioneve të pavarura në vend, do t’u shërbente interesave të qytetarëve shqiptarë dhe aspiratës së tyre për një të ardhme sa më të afërme në familjen europiane. Presidenti Topi theksoi në këtë takim pune se Bashkimi Europian vlerësoi maksimalisht qytetarët shqiptarët dhe sjelljen e tyre. Presidenti ritheksoi gjithashtu se “klasa politike duhet të arrijë në të njëjtat standarde. Ka ardhur koha të kalohet nga fjalët dhe premtimet pafund të politikanëve, në vepra konkrete në shërbim të interesave madhore të Shqipërisë dhe popullit shqiptar”. Takimi erdhi një ditë pasi ministrat e jashtëm të BE-së deklaruan se situata në Tiranë është shqetësuese dhe se shprehën keqardhje për tensionet e rritura që pasuan procesin. Bashkimi Europian, duke vënë në dukje vendimin e Kolegjit Zgjedhor, nënvizoi se është thelbësore që procesi zgjedhor, përfshirë edhe procedurën e apelimeve dhe të përpilimit të rezultatit final nga KQZ, të përfundojë me transparencë, pavarësi dhe në përputhje me bazën ligjore ekzistuese. “Është gjithashtu thelbësore që të gjitha partitë të njohin epërsinë e shtetit ligjor mbi çdo interes tjetër. Bashkimi Europian u kërkon liderëve politikë të mbështesin përfundimin e procesit zgjedhor me qetësi, në mënyrë konstruktive dhe me fokus në të ardhmen europiane të vendit. Bashkimi Europian do të ndjekë nga afër vlerësimet mbi procesin nga ana e misionit të OSBE/ODIHR-it”, thuhej në rekomandimet e Këshillit. Konkluzionet vlerësonin se Bashkimi Europian nxit qeverinë dhe opozitën në bashkëpunim me shoqërinë civile, që të bien dakord mbi reformën elektorale duke adresuar të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR në vitin 2007, 2009 dhe 2011 përpara zgjedhjeve të ardhshme. Bashkimi Europian vë në dukje edhe qëllimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës, për t’i kërkuar Komisionit të Venecias një opinion se si të shmangen situata të ngjashme në zgjedhjet e ardhshme.