“Transporti i Gjelbër”, Veliaj: Granti më i madh që ka marrë Bashkia nga BE. Tre akset ku do zbatohet projekti

Kryebashkiaku Erion Veliaj në fjalën e tij në prezantimin e projektit “Transporti i Gjelbër në Tiranë”, për zhvillimin, zbatimin dhe vënien në funksionim të sistemit të parë të transportit të shpejtë me autobusë elektrikë, deklaroi se ky është granti më i madh që ka marrë Bashkia e Tiranës nga BE-ja në historinë e vetë që nga viti 1920.
“Kemi kthyer një ëndërr në një projekt që ka një buxhet. Është granti më i madh që ka marrë bashkia e Tiranës në historinë e vetë që nga viti 1920.
Është domethënëse jo vetëm nga vlera e grantit por nga fakti që kemi një institucion që prodhon besim , që ka ditur të administrojë financat e projekteve më të vogla të BE-së edhe sot është i denjë që mund të procesojë e përballojë dhe mirëadministrojë një grant kaq të madh nga BE-ja”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku bëri me dije se Kinostudio-Kombinat; Tirana e Re; dhe Unaza janë tre akset kryesore ku do të zbatohet projekti.
“E gjithë kjo flotë do të quhet urbani. 145 stacione do rimodelohen me brendin e ri të vjetër Urbani, por dhe me tabelat elektronike me parashikueshmërinë e çdo autobusi që vjen në stacion, me një çip që do ketë çdo autobus për kilometrat që kanë bërë.
Do kemi një hap të jashtëzakonshëm përsa i përket transportit publik. Do fillojmë me tre akset kryesore brenda këtij viti: Aksi i parë është Kinostudio-Kombinat; aksi i dytë është Tirana e re; aksi i tretë është Unaza”, tha Veliaj.
Ky i fundit bëri me dije se për realizimin e projektit, BE-ja ka dhënë 30 milionë euro grante, 50 milionë kredi nga KFV-ja dhe 30 do vendosen nga Bashkia. Veliaj u shpreh se një pjesë e këtyre fondeve do të shkojnë për infrastrukturë.
Ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato dhe ambasadori gjerman, Karl Bergner kanë qenë të pranishëm në prezantimin e projektit “Transporti i Gjelbër në Tiranë”.
/rtsh.al/