Trashëgimia që tërheq turistët, monumentet e kulturës dhe objektet fetare pasurojnë turizmin në Gjirokastër

Në qarkun e Gjirokastrës, objektet e trashëgimisë kulturore dhe fetare kanë qenë pjesë e rëndësishme e axhendave turistike gjatë këtij viti, duke shënuar interes të lartë nga turistët vendas dhe të huaj. Kishat, xhamitë, monumentet e kulturës dhe sitet historike të zonës janë vizituar gjerësisht, duke e kthyer turizmin kulturor dhe fetar në një nga pikat më tërheqëse të këtij qarku.
“Numri i vizitorëve në rajonin jugor ka pasur një rritje të konsiderueshme duke patur parasysh dhe shtimin e vizitorëve në zonën e Përmetit. Ndërkohë që kisha e Labovës së Kryqit apo edhe xhamia e Pazarit apo kisha e Leusë në zonën e Përmetit janë disa nga objektet e kultit më të vizituara për shkak të vlerave të tyre historike por dhe arkitektonike të cilat mbartin”, tha Ardis Duka Drejtor i Trashëgimisë Kulturore, Gjirokastër.
Sipas Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, ky interes i shtuar lidhet me promovimin e vazhdueshëm të këtyre objekteve, restaurimet e kryera dhe përfshirjen e tyre në guidat turistike.
“Ndërkohë që rritja e numrit të vizitorëve në gjithë rajonin jugor ka të bëjë dhe me faktin që është rritur promovimi i këtyre siteve të trashëgimisë kulturore, por jo vetëm kulturore, por dhe natyrore. Gjithashtu edhe investimeve të kryera nga qeveria shqiptare, sidomos në zonën e Banjave Termale të Bënjës, ujërave termale të Bënjës, të cilat bëjnë një lidhje midis trashëgimisë natyrore ku janë ujërat termale, trashëgimisë kulturore pasi është ura e Kadiut apo vetë fshati Bënjë dhe kisha e këtij fshati”, theksoi Duka.
Trashëgimia kulturore dhe fetare mbetet një aset i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit dhe ruajtjen e identitetit historik të zonës.
Gazetare: E. Domeri
/rtsh.al/