E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuotat dhe tarifat e pranimit në Juridik

400 studentë do të pranohen në Fakultetin Juridik këtë vit. Tarifa e shkollimit që do të paguajë secili student do të jetë 30 mijë lekë të reja. Rikthehet part time pas 3 vjetësh pezullimi

TIRANË – Rreth 400 studentë do të kenë mundësinë që të prekin për herë të parë pragun e Fakultetit të Drejtësisë këtë vit. Për vitin akademik 2008-2009 në këtë fakultet do të pranohen 400 kandidatë, të cilët do të kenë marrë pikavarazhin më të lartë në konkursin e pranimit në universitet që do të zhvillohet në shtator. Këto janë kuotat zyrtare të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës. Gjithashtu, janë miratuar edhe kuotat e pranimit në degën e juridikut për Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës dhe Universitetin “Ismail Qemali” të qytetit të Vlorës. Përkatësisht, Universiteti i Shkodrës do të pranojë këtë vit 200 studentë, të cilët do të fitojnë të drejtën për të vazhduar studimet për drejtësi pranë këtij universiteti. Ndërsa Universiteti i Vlorës do të pranojë 120 kuota për këtë fakultet. Gjithsej, numri i kuotave për pranimet në fakultetin e Drejtësisë të miratuara nga Ministria e Arsimit për të tre Universitetet, atij të Tiranës, Shkodrës dhe Vlorës, do të jetë 750 studentë. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka miratuar gjithashtu edhe kuotat e pranimit për trojet shqipfolëse jashtë kufijve të Shqipërisë, për këto tre Universitete. Kështu, nga Kosova do të pranohen 4 kandidatë që do ta fitojnë të drejtën për të vazhduar juridikun pranë Universitetit të Tiranës. Universiteti i Shkodrës do të pranojë vetëm 1 kandidat, ndërsa Universiteti i Vlorës do të pranojë po aq sa ai i kryeqytetit, pra 4 kandidatë. Kuotat e pranimit për Maqedoninë do të jenë 3 studentë për Universitetin e Tiranës, 1 për Universitetin e Shkodrës dhe 3 studentë maqedonas do të mund të vazhdojnë shkollim e lartë në Universitetin e Vlorës. Përsa i përket kuotave të Malit të Zi, do të jetë Universiteti i Vlorës ai që do të pranojë numrin më të madh të tyre, i cili do të jetë 10 studentë, i ndjekur nga Universiteti i Tiranës me 3 dhe nga ai i Shkodrës me 2 studentë. Ndërsa kuotat që do të vijnë nga Presheva do të jenë 2 vende të lira studimi për Tiranën, 1 e drejtë shkollimi për Shkodrën dhe 2 për Vlorën. Tarifat e shkollimit në fakultetin e Drejtësisë do të jenë gjithashtu të pandryshueshme nga një vit më parë. Për Universitetin e Tiranës, tarifa e juridikut do të jetë 30 mijë lekë të reja, për Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” do të jetë 16 mijë lekë të reja, ndërsa për Universitetin e Vlorës “Ismail Qemali” tarifa e shkollimit në fakultetin e ligjit do të jetë 20 mijë lekë të reja. Për të gjithë studentët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet me kohë të pjesshme, apo siç quhet ndryshe “part time”, pranë këtij fakulteti, këtë vit akademik ky sistem rikthehet pas 3 vitesh pezullim nga metoda e studimit të fakultetit të Drejtësisë. Ky sistem u hoq 3 vjet më parë nga MASH-i për arsye të nivelit të dobët të studentëve që mbaronin juridikun me kohë të pjesshme. Sipas zëdhënëses së Ministrisë së Arsimit, Ermelinda Muho, kuotat e studentëve që do të pranohen këtë vit për të vazhduar studimet me sistemin “part-time”, si dhe tarifat e studimit në këtë sistem, akoma nuk janë bërë zyrtare nga ministria.    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›