Tre deputetë të PD-së firmosin në KQZ për koalicion mes Ballit, Bashkimit Liberal dhe Bashkimit Demokrat

Tre deputetë të Partisë Demokratike, përkatësisht Luan Baçi, Tritan Shehu dhe Edmond Spaho, pagëzojnë koalicionin Aleanca Liberale e Djathtë. Ata kanë firmosur kërkesën për regjistrimin e këtij koalicioni për llogari të tre partive: Balli Kombëtar Demokrat, Bashkimi Liberal Demokrat dhe Partia Bashkimi Demokrat, të cilat drejtohen nga Artur Roshi, Arian Starova dhe Ylber Valteri.
Sigla e koalicionit në zgjedhje do të jetë ALD dhe drejtues i këtij koalicioni do të jetë Balli Kombëtar Demokrat me kryetar Artur Roshin.
Të tre partitë kanë zgjedhur këtë formë regjistrimi si koalicion në zgjedhjet vendore, nëpërmjet deputetëve të PD-së, pasi ato nuk kanë përfaqësim parlamentar dhe në zgjedhjet e fundit vendore nuk e kanë kaluar pragun që të mund të regjistrohen vetë.
Sipas Kodit Zgjedhor, një subjekti politik i mjafton firma e një deputeti që të mund të regjistrohet në zgjedhje vendore. Partia politike, pjesëtare e një koalicioni, sipas ligjit, depoziton në KQZ listën shumemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore, jo më vonë se 40 ditë para datës së zgjedhjeve. /rtsh.al/
Koalicioni “Aleanca Liberale e djathtë” by Rtsh Faqe on Scribd